Rama vlerëson marrrëveshjen e lartë me Macron: Presim krahëhapur gjithçka nga Franca

17:23 | 12 Prill 2024
E.K

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zhvilloi këtë të premte një vizitë zyrtare në Paris, ku u prit me nderime të larta ushtarake nga presidenti Emmanuel Macron.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Rama tha se nënshkrimi i marrëveshjes së lartë me presidentin Maacron do t’i hapë rrugë më shumë investimeve francize në Shqipëri.

Rama tha se Shqipëria qëndron e hapur për gjithçka që vjen nga Franca, duke vlerësuar maksimalisht marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Sot jemi në një situatë krejt të ndryshme, shumë më pozitive dhe nga ana tjetër dua të falënderoj edhe për vizitën në Shqipëri, sepse përtej vizitës, përtej kuptimit të sensit historik të vizitës, përtej momenteve shumë të bukura që kaluam së bashku ka patur një vijim, një vijim që na ka prekur dhe na ka habitur shumë, sepse janë gjëra që po ndodhin, ka projekte, ka gjëra që po marrin formë, është ekselenca franceze që po mbërrin në Shqipëri dhe tani kemi një horizont të ri, një horizont të ri të punës së përbashkët, ku kanë nisur investime të mëdha për njohjen dhe financimin francez për dy paraqet fotovoltaike të rajonit.

Është gjithashtu “Fouquet’s” që nënshkroi kontratën e parë dhe që do të hapë dyert e një sistemi të mikpritjes franceze në breg të detit të Shqipërisë, është “École 42” që po hap dyert falë mbështetjes tënde dhe falë personalitetit vërtetë të jashtëzakonshëm të zotërisë.

Sigurisht duam të bëjmë më shumë, jam i sigurt që do të bëjmë më shumë. Sot ishim me “MEDEF” ku ka më shumë interes në shumë drejtime dhe do të mirëpresim me krah hapur gjithçka që vjen nga Franca sepse përpiqem t’u them shpesh kolegëve të mi kur Franca mbërrin nuk është vetëm një çështje parash, është çështje njohjeje, diturie, kulture. Të kesh më shumë Francë në Shqipëri do të thotë të kesh më shumë burime rritjeje, burimesh njerëzore, por edhe mënyre për të kuptuar botën dhe Europën.

Për ta mbyllur, po jemi pro francez, mendoj se të jesh pro francez do të thotë të jesh etaloni i qenies pro europiane. S’mund të jesh pro europian dhe të mos jesh pro francez dhe nëse je pro francez, ti je për një Europë me kulturë, histori dhe një Europë të së ardhmes, të një jete të përbashkët me disa vlera që janë në zemër të Francës dhe që Franca i rrezaton në mbarë botën dhe përfundimisht nënshkrimi i kësaj marrëveshje të nivelit shumë të lartë mes dy qeverive do të na hapë dyer të reja. Do të na japë mundësi të reja për të pasur edhe më shumë Francën në Shqipëri. Për të qenë në majë, për të treguar që Franca nuk është vetëm një vend të cilin ne e shohim me admirim, por nuk e shohim në vendin tonë, Franca të bëjë pjesë në të tashmen tonë dhe sigurisht do bëjë pjesë në historinë tonë, jo vetëm si burim frymëzimi, por edhe si një mbështetje konkrete e prekshme dhe vetëm mund t’iu them faleminderit.

Faleminderit me gjithë zemër në emër të të gjithëve, të të gjithë shqiptarëve që për të thënë të vërtetën kanë qenë disi skeptik në lidhje me Francën para disa viteve, por sot ata e kuptojnë se Shqipëria ka një mik tjetër të afërt dhe ne shqiptarët nuk jemi të pasur, nuk jemi të mëdhenj, por ne kemi aftësi, ne kemi një aftësi besnikërie unike. Pra nëse një ditë do të jeni nevojë për dikë për të qenë me ju në një moment vështirësie të jashtëzakonshme, thirrni një shqiptar ai do të vijë“, tha Rama.

Më pas, në praninë e Kryeministrit Rama dhe Presidentit Macron u nënshkruan marrëveshje ndërqeveritare bashkëpunimi mes vendeve, përkatësisht:

-Marrëveshje Ndërqeveritare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Francës mbi Kontributin në Zbatimin e Projekteve Prioritare në Shqipëri. Marrëveshja u nënshkrua nga nga Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhe dhe Ministri i Deleguar per Europën, Jean-Noël.

-Marrëveshje e Huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për financimin e projektit “Një Hua për Politikat Publike për të mbështetur Aftësinë Përtëritëse dhe Zhvillimin e Gjelbër të Shqipërisë. Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhe dhe zv/Drejtorja e Pergjithshme e Agjencise Franceze te Zhvillimit (AFD), znj. Marie-Hélene Loison./euronews.al

Të ngjashme