Google ADS

Rama viziton Egjiptin, pritet nga krerët më të lartë shtetëror

20:00 | 23 Tetor 2021
A. B.

Tirana dhe Kajro do të lidhen në mënyrë direkte me një linjë të posaçme ajrore. Angazhimi u morr nga kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij zyrtare në Egjipt ku u prit në një ceremoni të veçantë shtetërore. Ai tha se kjo linjë do jetë një mundësi jo vetëm për të afruar më shumë dy vendet, por edhe për të zhvilluar turizmin.

“Marr me vete premtimin për t’u kujdesur personalisht për të vendosur linjën e drejtpërdrejtë të fluturimit mes Kajros dhe Tiranës dhe anasjelltas. Nuk e di nga pala egjiptiane, por nga pala shqiptare ju siguroi se avionët nuk do jenë kurrë bosh. Kjo linjë ajrore nuk do jetë një barrë për kompaninë, por do jetë e kundërta. Do ndihmojë shumë shqiptarët që dëshirojnë të vijnë të vizitojnë dhe të bëjnë pushimet këtu”.

Ndërsa vlerësoi marrëdhëniet historike mes dy vendeve, kreu i qeverisë shqiptare nënvizoi nevojën që bashkëpunimi mes konkret mes dy vendeve të forcohet më tej në fusha të caktuara siç është shkëmbimi tregtar, turizmi dhe kultura.

“Dua t’ju falenderoj për hapjen, për disponibilitetin tuaj për të ecur përpara duke bërë bashkë një komision të përbashkët, duke identifikuar fushat tona të bashkëpunimit ku duhet të nxitim për të bërë më shumë, sepse siç ju thatë, shifrat e tregtisë janë shumë modeste, ndërsa potenciali është i pranishëm”.

E për të çuar më tej këtë angazhim, kryeministri egjiptian dha lajmin se muajin e ardhshëm Tirana do të mirëpresë mbledhjen e parë të komitetit për bashkëpunim teknik shkencor dhe kulturor mes Shqipërisë dhe Egjiptit.

“Jam besimplotë se ky takim do jetë një kuadër mbështetës për marrëdhëniet tona dhe do të nxisë bashkëpunimin për ekonominë dhe investimet”.

Gjatë ditës së parë të vizitës në Egjipt delegacionit shqiptar iu rezervua një takim i veçantë edhe nga President i Egjiptit, Abdul-Fattah Sisi, për të cilin kryeministri Edi Rama nuk i kurseu falenderimet edhe publikisht gjatë konferencës për mediat.

Gjatë kësaj vizite ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe homologia e saj egjiptiane nënshkruan tre marrëveshje bashkëpunimi në fushën e muzeve, të kulturës dhe librit./klan

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme