Rama: Vaksinimi i të gjithë moshave brenda 14 muajve

08:05 | 19 Janar 2021
Arbresh.info

Me 94 vota pro, Kuvendi i Shqipërisë miratoi të hënën marrëveshjen me kompaninë “Pfizer”, përmes së cilës qeveria ka siguruar 500 mijë doza për vaksinën kundër COVID-19.

Kryeministri Edi Rama publikoi tre skenarë, ku më ambiciozi sipas tij është vaksinimi i popullatës brenda 14 muajve të ardhshëm.

“Vaksinimi ka tre skenarë. Skenari me ambicioz është vaksinimi i të gjithë kategorive dhe moshave që përfshihen në planin e vaksinimit brenda 14 muajsh. Skenari tjetër ka një agjendë 18 mujore dhe ai i treti 24 mujore. Ne do të bëjmë gjithçka për të shkuar për të shkuar sipas skenarit të parë. Me votimin sot në Kuvend, hapet rruga për të marrë sipas marrëveshjes së pajtuar në parim, doza e parë do të vijë javën e tretë të janarit dhe pastaj shkallë-shkallë do të marrim sasinë e pajtuar. Mund të porosisim edhe doza të tjera me marrëveshjen e firmosur nga të dyja palët”, tha Rama.

Negociatat me “Pfizer”, Rama i cilësoi të vështira teksa bëri të ditur se qeveria është në komunikim me kompani e shtetet të tjera.

Për t`ju përgjigjur dyshuesve e për të vërtetuar efektshmërinë e vaksinës, Rama tha se mjekët do të bëjnë transparentë nivelin e antitrupave.

Kryeministri iu kthye sërish rastit të korrupsionit në Spitalin “Shefqet Ndroqi” ku kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për denoncimin e rasteve të tilla. /Ora News/

Të ngjashme