Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar një takim të premten me operatorët turistikë në Durrës, për sezonin e ri të turizmit. Rama thotë se qeveria ka mësuar nga sezoni i kaluar dhe ka premtuar se kësaj radhe kufiri me Kosovën do të jetë absolutisht i hapur për mikpritjen e turistëve dhe operatorët turistikë do të kenë sa më pak shtrëngesa
Shqipëria ka varur shpresat nga Kosova edhe për këtë sezon turistik, i dyti në kohë pandemie. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar një takim të premten me operatorët turistikë në Durrës, për sezonin e ri të turizmit. Rama thotë se qeveria ka mësuar nga sezoni i kaluar dhe ka premtuar se kësaj radhe kufiri me Kosovën do të jetë absolutisht i hapur për mikpritjen e turistëve dhe operatorët turistikë do të kenë sa më pak shtrëngesa.
“Duke pasur mundësinë që të bëjmë një vaksinim intensiv, ne do të zhvillojmë me shumë këmbëngulje të gjithë procesin e vaksinimit, me synimin që brenda muajit qershor maksimumi, por duke shpresuar deri në fund të majit, të vaksinojmë gjysmë milioni qytetarë. Vaksinimi është themelor për këputjen e hallkave. Shumë e rëndësishme që me vaksinimin të jemi të rregullt, se pastaj bëhemi ne pengesa për të dalë nga ky tunel ku më në fund po shohim dritë. Dhe besoj që faktet flasin vetë. Lidhur me ndryshimin e rëndësishëm që ka ndodhur në sektorin e turizmit, të gjitha eksperiencat tuaja dhe çfarë kemi dëgjuar, potenciali është ende shumë i madh dhe mundësitë janë të mëdha”, deklaroi Edi Rama.
Sipërmarrësi i njohur shqiptar, presidenti i “Biznes Albania”, Luan Bregasi, në takim me kryeministrin Rama, ka propozuar idenë e vaksinimit të stafeve të hoteleve, për të pasur mundësi që t’u shërbejnë turistëve të huaj që do të vijnë gjatë verës në Shqipëri.
“Ne presim një sezon më të mirë, se bota dhe Shqipëria po vaksinohen. Do të propozoja që nëse ne do të bëjmë ofertë më të mirë këtë vit, meqë po vijnë këto vaksinat, mendoj që oferta më e mirë do ishte t’u themi turistëve të huaj që tashmë do ta keni të gjithë personelin të vaksinuar… Është një ofertë shumë e mirë që gradualisht të mendohet të vaksinohen edhe kamerierët e kuzhinierët tanë, se nëse vijnë turistët nga Izraeli të vaksinuar kjo ofertë nuk ngjet shumë si ofertë turistike”, tha Bregasi.
Kryeministri Edi Rama tha se ideja e sipërmarrësit Luan Bregasi do të diskutohet dhe do të shqyrtohet.
“Nuk e kisha çuar nëpër mend këtë idenë e vaksinimit të stafeve të hoteleve. Në pamje të parë tingëllon interesante, kështu që me shumë dëshirë e me shumë seriozitet do ta vlerësojmë e do të shohim nëse mund të bëhet e kombinuar me ofertën… S’po e premtoj se është thjesht një ide që tani e dëgjova, e këtu po e flasim, por ta studiojmë mirë e ta shohim me shumë dashamirësi”, iu përgjigj Edi Rama kërkesës së Luan Bregasit.
Kryeministri i Shqipërisë ka deklaruar gjatë takimeve në qytetet bregdetare, si në Vlorë dhe Lezhë, se turizmi në Shqipëri si sektori më i rrezikuar nga pandemia ia doli mbanë falë Kosovës. Ndërkohë që ua ka tërhequr vëmendjen operatorëve turistikë se hotelet ishin plot, megjithëse ata nuk i ulën çmimet.
“Unë isha me një operator turistik dhe jashtë kamerave ma konfirmoi atë që di në fakt, se sezoni i kaluar nuk ishte me humbje. Ndërkohë që pandemia ishte realisht e frikshme për sektorin, por lëvizja që ne bëmë duke mos e mbyllur kufirin me Kosovën dhe fakti që shqiptarët në Shqipëri nuk mundën të iknin jashtë bëri që hotelet të jenë plot. Unë nuk besoj se kur i keni marrë paratë nuk ju janë dukur më pak se po jua japin shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë, se nuk është se i ulët çmimet. Ky sezon ka qenë një provë domethënëse e faktit se sa shumë para shpenzohen nga shqiptarët e Shqipërisë për turizëm dhe përgjithësisht shkojnë jashtë. Tjetra që e ka ndihmuar shumë sektorin, që është indirekte, ka qenë që shumë nga shqiptarët që janë mësuar përndryshe të iknin në Budva, në Greqi, në Itali, në Spanjë e në Turqi, njohën Shqipërinë. Kjo është konkrete. Një pjesë e madhe e tyre dinin Tiranë-Durrës, maksimumi deri në Vlorë, dhe këtu mbaronte puna e tyre”, deklaroi Edi Rama në takim me operatorët turistikë në Vlorë një muaj më parë.
Numri i qytetarëve nga Kosova që kanë vizituar Shqipërinë për vitin 2020 është 1.379.360 persona. Megjithëse me një rënie prej 38.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, Kosova ka rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve të saj në Shqipëri për vitin 2020, që llogaritet më e ulëta krahasuar me vendet e tjera të rajonit e Evropës.
Në muajt e vjeshtës, por edhe në ato të fillimdimrit, numri i qytetarëve nga Kosova që kanë vizituar Shqipërinë ka njohur rritje krahasuar me muajt e verës. Qytetarët nga Kosova i kanë bërë sfidë pandemisë kur vjen puna për të udhëtuar në Shqipëri. Në tremujorin e katërt të vitit 2020, numri i qytetarëve nga Kosova që vizituan Shqipërinë ka qenë 519.435 persona, nga 407.760 persona që e kishin vizituar në tremujorin e katërt të vitit 2019, duke shënuar një rritje prej 27.4%. Megjithatë, në vitin 2020, turizmi në Shqipëri – si sektor i ekonomisë – është më i godituri nga pandemia. Varësia e ekonomisë shqiptare nga turizmi është pikërisht arsyeja pse goditja në ekonominë e përgjithshme ka qenë më e madhe në Shqipëri sesa në vendet e tjera të rajonit, gjë të cilën e kanë nënvizuar shumë institucione ndërkombëtare, që nga Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), FMN e deri te “Standard and Poor”.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...