Rama thotë se nuk shkatërrohet demokracia nga mungesa e opozitës në zgjedhje

18:12 | 6 Qershor 2019
Arbresh.info

Nga Cërriku ku prezantoi kandidatin e Partisë Socialiste për zgjedhjet vendore, Kryeministri Edi Rama tha se në 30 Qershor do të jetë një ditë zgjedhjesh ku partitë që do të garojnë, do të marrin atë që meritojnë.

Për mungesën e opozitës në zgjedhje, thotë se kjo nuk cënon demokracinë, por vetëm do të dëmtojë Partinë Demokratike.

“Kjo punë do shkojë ashtu siç duhet të shkojë dhe secili do marri atë që i takon. Edhe do nxjerri mësimet e veta. Ata do shkojnë vetëm poshtë nëse nuk i thërrasin mendjes sa nuk është vonë, por kjo nuk do të thotë që këtu do shkatërrohet demokracia. Sepse fund fund, do shterojë udhëheqja e Partisë Demokratike”, u shpreh Kryeministri.

Rama akuzoi opozitën se me protestat që bën, kërkon të dëmtojë vendin në prag të vendimit për negociatat e anëtarësimit në BE.

“Një nga arsyet pse e bëjnë, këta nuk janë antishqitarë, janë më keq, këta janë fushë komplet, është për të hapur kudo namin e zi për Shqipërinë për ta bërë Shqipërinë delen e zezë në momentin kur Shqipëria pret të hapi derën për t’u bërë pjesë e familjes europiane”.

Kurse për ata që do të tentojnë të shkatërrojnë zgjedhjet, Kryeministri tha se do të përballen me ligjin.

“Ne deri në fund do t’ju tregojmë të gjithëve ligjin, do t’ju themi që të informohen se për çdo krim zgjedhor që nga më i vogli deri te më i madh, për këdo që guxon t’i dali përpara një qytetari që do të shkojë të votojë, ligji është shembullor, por përveç se ligji të çon prapa hekurave këtu, ata nuk kanë për të dalë dot më nga Shqipëria se ata nuk kanë për t’i lënë më të futen në kufijtë e Bashkimit Europian. Kjo duhet të jetë shumë e qartë për të gjithë”. /tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme