Google ADS

Rama thirrje BE-së: Na jepni akses në tregun tuaj, të krijohet union i përbashkët doganor

12:21 | 16 Maj 2024
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi në samitin që po mbahet në Mal të Zi se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimi Evropian duhet të hartojnë një strategji të përbashkët në disa fusha.

Rama propozoi disa pikat që duhet të rakordohen mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Ai theksoi se duhet ndërtuar një shans që vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor t’u jepet akses në tregun e përbashkët evropian.

“Së pari ne duhet të ndërtojmë një shans përmes planit të rritjes për t’u përgatitur për aksesin në tregun e përbashkët. Është koha që rajoni të bëhet pjesë e portofolit dixhital evropian. Objektivat për këtë i kemi përfshirë në planet tona të reformave dhe besojmë se do t’i zbatojmë brenda vitit 2027. Do të sugjeroja që të lëviznim së bashku drejt BE-së. Kemi një bashkëpunim të kufizuar në sektorin e shëndetësisë. Ka 8 pika kufitare ku produktet e rajonit mund të kalojnë në BE. Ne mund të kthehemi në partnerin kryesor të tregtisë së Bashkimit Evropian. Në të njëjtën frymë mund të trajtohet edhe emigracioni dhe trafiku i qenieve njerëzore”, u shpreh Rama, referuar edhe planit prej 6 miliardë eurosh të parashikuar nga BE për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Duke qëndruar në planin e BE-së për Ballkanin Perëndimor, Rama propozoi edhe krijimin e një Unioni të përbashkët doganor.

“Duhet që Ballkani të përfshihet në strategjinë gjithëpërfshirëse të BE-së. Duhet të hartojmë të njëjtat politika strategjike si BE-ja ashtu edhe Ballkani. BE-ja duhet të përgatitet për një union të përbashkët doganor në një të ardhme të afërt. Do të bëjmë të mundur të gjitha ndryshimet ligjore për të bërë këtë”, theksoi Rama.

Samiti dy ditor rajonal që zhvillohet nën logon “Një rajon, vizion i përbashkët”, pason takimet e mëparshme të këtij niveli mes liderëve, në Tiranë dhe në Shkup, ku është diskutuar gjerësisht mbi Planin, që synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e BP.

Samiti është i konceptuar në dy panele, përkatësisht: “Angazhimi dhe planet e së ardhmes”, si dhe “Kontributi për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal”, me pjesëmarrjen liderëve të rajonit, si dhe Komisionerit të BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi. dhe Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien. Në Samit janë të pranishëm drejtues e përfaqësues të organizatave partnere si Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve, Banka Botërore, përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian,etj.

Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në 4 shtylla kryesore:

-Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian.

-Rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal.

-Përshpejtimi i reformave themelore

-Rritja e ndihmës financiare/rtsh.al/

Të ngjashme