Rama: Të mos biem në grackën që ra Saliu me ne

08:22 | 21 Shkurt 2017
Arbresh.info

Kryeministri i vendit Edi Rama bojkotin e Parlamentit nga opozita e ka lidhur si përpjekje për të bllokuar ngritjen e institucioneve të reja të vetingut.

Para deputetëve të Grupit Parlamentar socialist, kryeministri ka kërkuar më shumë kujdes nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste ndaj grevës, por jo organizatorëve të saj.

“Nuk duhet asnjë përçmim për protestën dhe protestuesit. Të mos biem në grackën dhe batakun ku ra Saliu, që denigronte protestat tona. Protestuesit duhet të kenë respektin tonë. Organizatorët e protestës janë çështje më vete, pasi ata kanë qëllime plotësisht të kundërta me ato që thonë. Ata kanë frikë nga vetingu dhe Reforma në Drejtësi”, është shprehur Rama.

Sipas kreut të Partisë Socialiste, shqetësimet e PD-së për sigurinë e zgjedhjeve nuk qëndrojnë për sa kohë ata nuk kanë marrë pjesë në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore.

“Ata kërkojnë gjëra që nuk varen nga ne. Ne nuk i kemi penguar, madje i kemi kërkuar që çdo shqetësim që ka të bëjë me zgjedhjet të adresohet në Komisionin e Reformës Zgjedhore”, mësohet t’u jetë drejtuar Rama deputetëve të tij.

Ndërkohë ai ka kujtuar ftesën që i ka bërë opozitës që çdo kërkesë e saj, për të cilën OSBE-ODIHR jep mbështetje, do të ketë automatikisht edhe mbështetjen e maxhorancës. Për kreun e maxhorancës, bojkoti i Parlamentit tregon qëllimin e vërtetë të opozitës.

“Nëse bojkoti nuk do të kishte ndodhur, mund të ishte e vështirë të provohej se protesta bëhet për të bllokuar vetingun. Por bojkoti është prova që gjithçka ka të bëje me vetingun. PD ka kohë që kërkon alibi për humbjen e radhës, por ne s’kemi ç’të bëjmë. Nga pikëpamja politike, kjo është një dhuratë për ne. Nga pikëpamja e interesit të vendit, kjo është një goditje e rëndë që synon të shpëtojë prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar nga vetingu”, ka thënë më tej Rama.

Ai u ka kërkuar deputetëve dhe koordinatorëve elektoralë të Partisë Socialiste që të vijojnë rregullisht punën në zonat e tyre përgjegjëse për përgatitjen e strukturave socialiste për zgjedhjet e 18 qershorit.

Një ditë më parë, në “Komunikimin javor” në “Facebook”, Kryeministri Rama tha se do të vazhdojë në krye të qeverisë deri në fund të mandatit, edhe pse opozita kërkon dorëheqjen e tij.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë ditë-natë deri në ditën e fundit të këtij mandati dhe do të kërkojmë një mandat tjetër më 18 qershor për Shqipërinë dhe shqiptarët, që meritojnë të jenë qytetarë të barabartë me ata të BE-së, që ne me reformat tona do ta fusim. Respekt për këdo që nuk na ka votuar dhe për këdo që doli dje në protestë për të kontestuar qeverisjen tonë, por asnjë hap mbrapa dhe asnjë lëkundje për përmbushjen deri në fund të detyrave tona”, u shpreh Rama./Albeu.com/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme