Rama: Tarifat 50%? Vetëm bufat në sekretaritë universitare s’e dinë

15:53 | 9 Janar 2019
Arbresh.info

Takimin e parë të bashkëqeverisjes për vitin 2019, kryeministri Rama e nisi me çështjen e tarifave të studentëve, duke ironizuar universitetet, që sipas tij bëjnë sikur nuk e kanë mësuar se do të jetë Qeveria, ajo që do të paguajë gjysmën e shumës.

“Qeveria do të paguajë 50% të tarifës për studentët, 100% për ata me ndihmë ekonomike dhe kategori të specifikuara që do të marrin një bursë studimore. Tani, këtë edhe bufat e Parkut të Liqenit e kanë marrë vesh, nuk e paskan marrë vesh disa bufa të Sekretarisë së universiteteve”, tha Rama.

Një merak më vete, kryeministri e ka me pedagogët, për të cilët thotë se po nxisin bojkotin e mësimit.

“Ka pedagogë që nuk duan të bëjnë mësim, por preferojnë që t’i lënë studentët rrugëve, sepse duan të rrinë vet nëpër kafe. Bëjnë lojën e nonë-dajës”, tha Rama.

Përmes 3 postimeve në Twitter, Rama tregoi se kishte biseduar deri në 3 të natës me studentët në “Whatsapp”, ku me këmbëngulje është pyetur edhe për tarifat e masterit.

“E kam dëgjuar fjalën ‘master’ deri në 3 të mëngjesit, më shumë se tërë gjelat e Surrelit. S’ka mundësi dhe s’është e drejtë të ndërhyhet te masteri, nuk ndodh askund. Do të përgjysmojmë masterin për ata me 9-10 dhe ata që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike. Të tjerët do ta paguajnë të plotë. S’kalohet jeta studentore duke kërkuar nga shteti, apo nga prindërit”, tha Rama.

Në mediet sociale, Rama tregoi se VKM-të e prezantuara në dhjetor janë botuar tashmë në Fletoren Zyrtare dhe kërkesat do të plotësohen sipas afateve të njoftuara, ndërsa brenda janarit do të publikohet edhe “Pakti për Universitetin”, që shkon shumë përtej kërkesave, nënvizon kryeministri.

Në fund kishte edhe një paralajmërim.

“Për sa më ra më shumë në sy, në atë dialog të pazakonshëm me lloj-lloj profilesh e pa asnjë lloj dorashke, siç më pëlqen mua, ishin ankesat e pafundme për pengmarrësit, që nuk lënë shumicën të bëjë mësim. Kjo është e papranueshme e mund ta shtyjë mësimin në verë”, deklaroi Rama./tch

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme