Rama: S’ka kompromis për Vettingun

01:11 | 21 Prill 2017
Trina Galanxhi

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur po përmes rrjeteve sociale një statusi të mëhershëm të Lulzim Bashës në lidhje me Vettingun.

“Lulëzimi, paska dëgjuar sikur unë paskam ofruar sot në Kuvend kompromis për të shtyrë Vetingun! Në fakt e kundërta është vërtetë. Unë sot kam thënë që Vetingu për mua është kusht për çdo kompromis të mundshëm, për hyrjen jashtë afateve në zgjedhje të PD-së dhe kam shtuar se vetëm nëse të tjerët – nënkupto miqtë e partnerët tanë që e kanë Vetingun kusht për negocimin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE – do të kërkonin fleksibilitet në emër të përfshirjes së PD në zgjedhje, atëherë e vetmja mundësi mund të ishte nëse PD do të pranonte ta votonte Vetingun, në seancën e parë të Parlamentit të ri”, shkruan Rama.

“Ne do të vazhdojmë me bukë dhe Çadra e Frikës nga Drejtësia le të vazhdojë me gurë. Durimi ynë do të soset vetëm kur të soset kufiri i fundëm i mundësisë për të hyrë të gjithë në zgjedhje. Domethënë deri ditën dhe orën e paraqitjes së emrave të skuadrave për betejën e 18 qershorit”, shton më tej Kryeministri.

“Nëse Lulëzimi dhe Çadra e Frikës nga drejtësia, mund ta vonojnë plotësimin e komisioneve të Vetingut dhe nisjen e punës së tyre, duke mos u paraqitur në punë deri në ditën e fundit të këtij Kuvendi, dita e parë e Kuvendit të Ri do të shënojë edhe fundin e kësaj pengmarrjeje të turpshme të drejtësisë!”, përfundon reagimi i Kryeministrit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme