Google ADS

Rama: Shqipëria, e treta në botë për rritjen e turistëve

20:06 | 5 Shtator 2023
Orgesa Haziri

Shqipëria është një nga tre destinacionet e botës me rritjen më të madhe për këtë sezon turistik.

Të dhënat e Google, konfirmojnë se vendi ynë zë vendin e tretë në botë, pas Kroacisë dhe Turqisë.

Sipas renditjes, Shqipëria pati një rritje me 50% të turistëve duke lënë pas emra të njohur në këtë sektor si Greqia, Qipro, por edhe Bullgaria e Argjentina.

Ndërsa Tirana, renditet e dyta në Botë pas Antalias së Turqisë sa i takon destinacioneve me rritjen më të madhe të turizmit.

Kryeqyteti shqiptar ka arritur të lërë pas qytetet më të njohura në botë si Ibizan, Palman, Stambollin, Londrën apo Dubain.

Ky lajm është përshëndetur në rrjetet sociale edhe nga Kryeministri Edi Rama, i cili më herët e ka cilësuar këtë vit si një kthese historike për Shqipërinë.

“Edhe sipas të dhënave nga vetë GOOGLE, Shqipëria renditet e treta sa i takon destinacioneve me rritjen më të madhe të këtij sezoni turistik, ndërsa Tirana jonë e dyta që lë pas plot prej qyteteve të stërkonfirmuara prej dekadash në turizëm.”

Siç nuk kishte ndodhur më parë, vendi i shqiponjave këtë sezon veror tërhoqi vëmendjen e shumë të huajve.

Të dhënat e INSTAT treguan se vetëm në shtatë muaj në Shqipëri erdhën mbi 5.1 milion të huaj, një rritje kjo me 31% në krahasim me po të njëjtën periudhë vjet.

Vetëm në muajin Korrik, rreth 1.8 milion vizitorë të huaj hynë në vendin shumëpërfolur të këtij viti.

Natyra, malet e paeksploruara, deti i pastër, kultura dhe traditat shqiptare duket se shërbyen si një reklamë e mirë për rritjen e interesit të turistëve./tvklan.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme