Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bashkë me bashkëshorten Linda Rama, në kremtim të Muajit të Shenjtë të Ramazanit, shtruan të hënën një darkë Iftari në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiranë.
Në tryezën e shtruar në Pallatin e Kongreseve ishin të pranishëm drejtues të besimeve fetare në vend, ministra, deputetë, diplomatë të huaj, drejtues institucionesh, artistë, sportistë, mjekë etj.
Në fjalën e tij kryeministri Rama tha se njësoj siç e mirëpresin agjëruesit, edhe ai, “për hir të së vërtetës, mezi e pres ta ofroj këtë Iftar së bashku me Lindën e me ndihmën e kujtdo që angazhohet, që sofra të ketë frymën e një mbrëmjeje ku nuk na mbledh bashkë as feja, as gjuha, as puna që bëjmë në të përditshmen tonë apo ideja e çdokujt këtu për Zotin, por na bashkon ndjesia e përkatësisë ndaj diçkaje të njëjtë e lidhjes me diçka të ngjashme, të cilës i gjejmë emra të ndryshëm, ose edhe e pamundur apo u munduar t’i vëmë emër i ndiejmë afërsinë e pakufizueshme”.
Sipas Ramës, vakti i iftarit nuk është një vakt i zakonshëm.
“Kur ndodh, kështu si sonte, është një ndarje buke mes më të fortëve, atyre që duke agjëruar mposhtin dobësinë e trupit dhe më pak të fortëve që të agjëronin nuk mundën apo nuk deshën. Sigurisht është virtyt t’i nënshtrohesh disiplinës së fortë të agjërimit në këtë muaj që jo më kot quhet i madhërueshëm, pra lartësues. Por duke qenë se unë vetë për shkak të lartësisë së shtatit bëj pjesë tek kategoria e më pak të fortëve këtu sonte e shoh të virtytshme edhe uljen e joagjëruesve në sofrën e Iftarit”, tha Rama në fjalën e tij.
Kryeministri Rama u shpreh se për këdo që nuk i përket fesë islame, që nuk përshkon rrugën e agjërimit të urdhëruar nga Profeti, që nuk vjen në këtë sofër nga kërkesat këmbëngulëse të faljes pjesëmarrja në Iftar është një lloj agjërimi më vete.
“Një lënie mënjanë e paragjykimeve, një përulje ndaj traditave shpirtërore dhe dokeve të bukur atë tjetrit. Shprehja e një kumti të thjeshtë, por kuptimplotë paqeje kryerja e një gjesti njerzillëku mes të ndryshmish në një hapësirë si kjo e atdheut tonë ku, lavdi Zotit dhe mençurisë popullore, të qenit të ndryshëm në fe nuk na ka bërë njerëz të grindur mes veti për Zotin në të cilin besojmë apo nuk besojmë, apo për fenë të cilës i përkasim, a nuk jemi apo ndjehemi përkatës”, theksoi Rama./rtsh.al/
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në...
Abdixhiku shpalos programin për Arsim në Vushtrri, premton m...
Kur do të hapet ura e Ibrit ?
Mbi 1 mijë tenderë njëburimorë raportohet se po hetohen nga ...
Rrahmani: Është viti i pestë që jam këtu, ndihem si një nga ...
Fillon fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me...