Partia Socialiste në Shqipëri është e bindur se ka gjetur formulën shkencore për të fituar besimin qytetar në çdo zgjedhje të ardhshme, e patrembur nga kundërshtarët e vet politikë.
Asambleja Kombëtare e PS-së u mblodh të dielën në Tiranë, për më shumë se 5 orë me dyer të mbyllura për të folur mbi organizimin e partisë për sfidat e brendshme dhe ato kombëtare.
Në përfundim, kryeministri shqiptar Edi Rama tha se në mbledhje pati diskutime të shumta. Tashmë grupimi më i madh politik në vend ka miratuar edhe planveprimin deri më 15 mars, kur do të shënohet nisja e procesit zgjedhor strukturor.
“Ka qenë një mbledhje pune ku ka pasur ballafaqime me fakte, opinione të mbledhura në një proces shumë kapilar të nisur. Ka shqetësime që vijnë nga organizata të ndryshme të partisë, nga zgjedhës që e kanë votuar ose jo PS-në. Nëse flasim për kritika, ka pasur një qasje vetëkritike nga të gjithë së bashku, duke filluar nga unë.
Jemi shumë të kënaqur nga kjo mbledhje, sepse kanë dalë shumë gjëra për t’u marrë parasysh. Kemi miratuar edhe planin e veprimit për periudhën 15 shkurt–15 mars kur fillojnë zgjedhjet në organizatën tonë politike. Në 16 mas do mbledhin asamblenë në Durrës, pastaj do të hyjmë në procesin për zgjedhjet që parashikohet të përfundojnë më 15 prill, dhe nga atëherë do të punojmë për zgjedhjet e ardhshme, që duhet të jenë më shembulloret që kemi zhvilluar deri tani,” u shpreh kryesocialisti.
Faza e punës midis 15 shkurtit dhe 15 marsit do të jetë edhe faza e anëtarësimeve të reja për PS-në.
Rama tha se ai personalisht është i pakënaqur për drejtimin që po marrin zhvillime të caktuara në partinë e tij, por uniteti i grupit mbetet i palëkundur, si edhe besimi te qytetarët.
“Për qytetarët mos u shqetësoni, sepse duhet të jeni shumë të sigurt se leximin e opinionit të qytetarëve dimë ta bëjmë më mirë se kushdo tjetër. Prej shumë vitesh kemi instrumente shkencore për të ndjekur opinionin qytetar, me sondazhe, me fokusgrupe, për të parë cilat janë shqetësime, pritshmëritë, kritikat e tyre. Qytetarët janë shumë të qartë sesa ne, sepse qytetarët shqiptarë janë politikisht një bashkësi jashtëzakonisht e interesuar dhe me nuhatje, dinë t’i ndajnë broçkullat nga thelbi,” shtoi Edi Rama.
Kryeministri komentoi edhe statusin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, socialistit në arrati që ka refuzuar të përballet direkt me drejtësinë shqiptare për shpërdorim detyre.
“Partia Socialiste, unë dhe gjithë ne nuk komentojmë çështje që lidhen me drejtësinë. Ka një karakteristikë të përgjithshme të gjithë atyre që kanë çështje me drejtësinë, që ndihen viktima të forcave të errëta, por kush ka probleme me drejtësinë t’i zgjidhë me drejtësinë. Nuk bën përjashtim askush, për asnjë arsye. Reforma në drejtësi i ka hapur rrugën një drejtësie që është jashtë influencës së ekzekutivit. Këtë e kemi arritur dhe do punojmë që ta bëjmë të pakthyeshme, kur drejtësia beson se X, Y, Z, nën apo anash apo mbrapa të përgjigjen për ato që bëjnë.
Partia Socialiste e ka shumë të qartë pozicionin e vet. Është detyra jonë që drejtësisë t’i japim të gjitha mundësitë të bëjë detyrën e vet e pashqetësuar nga ndikimi i pushtetit ekzekutiv, madje as nga komentet e atyre që përfaqësojnë PS-në.
Partia Socialiste nuk bën komente mbi komentet e kujtdo që ka punë me drejtësinë. Kjo vlen për të gjithë dhe nuk do të ndryshojë. Fatmirësisht kemi sot një ditë të re në rrugëtimin ende të gjatë të drejtësisë në Shqipëri dhe kemi një pikë referimi që është Struktura Antikorrupsion për të bërë atë që dje dukej e pamundur. Koha kur flamuri i partisë ishte gjethe fiku apo çarçaf për të mbuluar hijet në trup ka vdekur,” deklaroi kryeministri i Shqipërisë.
Javën e ardhshme Shqipërinë pritet ta vizitojë Sekretari i Shtetit, Antoni Blinken.
“Ka një domethënie të veçantë ardhja e Sekretarit të Shtetit në Tiranë për kontekstin ku ndodhet sot Europa dhe bota. Fakti që gjen të nevojshme të vendosë në agjendën e tij ndaljen në kryeqytetin shqiptar, si pikë referimi për rajonin, flet në mënyrë të posaçme se ku e kemi ngritur pozicionin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Shqipëria është forca e shembullit për të ndërtuar paqen, një të ardhme të përbashkët, dhe për t’u ndarë nga një e kaluar e mbushur me tragjedi, prapambetje,” u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama./rtsh.al/
Konfirmohet rasti i parë i Lisë së majmunëve në Kosovë
IKD: Procesi për përzgjedhjen e kryeprokurorëve- kryesisht m...
Rama me magjinë e rrugës për në Kolonjë, uron një ditë të mb...
Guterres: Bombardimet e Izraelit në Jemen janë jashtëzakonis...
Hasani e thotë me bindje: Shqipëria do jetë anëtare e BE-së ...
Real Madridi ndryshon emrin e stadiumit Santiago Bernabeu pë...