Rama: Prokuroria e Tiranës është tallur me “21 janarin”, drejtësia e re të reagojë

14:43 | 24 Nëntor 2023
L G

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një konferencë për mediat ku qendër e bisedës ka qenë drejtësia për 21 janarin.

Sipas tij prokuroria e Tiranës është tallur me përbuzje me Kushtetutën, ligjin, dhimbjen dhe të drejtën e familjarëve të viktimave në radhë të parë, por dhe gjithë shoqërisë për të njohur deri në fund të vërtetën.

Rama tha se një provë e re që ka dalë para disa muajsh është trajtuar si leckë, ndaj ai shprehu besimin se drejtësia e re do të vepronte.

“Qysh se ky krim ka marrë rrugët e prokurorive dhe gjykatave të vendit ka ndryshuar struktura e sistemit të drejtësisë dhe personalitetet apo profilet e zyrtarëve të lartë hetohen nga një tjetër strukturë. Leximi i vendimit të gjykatës është si të lexosh një rrëfim të stërpërsëritur prej nesh në vite dhe vendosja e gishtit drejtpërdrejtë te autoritet ekzekutive të kohës është e shkruar e zeza mbi të bardhë.

Jo vetëm për krimin e vrasjes që ka mbetur pa autor, sepse vrasja nuk ka nisur nga tërheqja e këmbëzës së automatikut, por nga urdhri i cili ka ardhur nga maja, por nga ana tjetër gjykata vë gishtin dhe te krimi i pengimit të drejtësisë. Është e qartë se autoritetet ekzekutive më të larta të vendit kanë penguar në mënyrën më brutale dhe kriminale drejtësinë që të reagojë dhe veprojë në kohë reale për të nisur zbardhjen e këtij krimi.

Nuk ka asnjë forcë që mund të pengojë zbardhjen përfundimtare të krimit shtetëror të 21 janarit, por mundtë vazhdojë të vonohet dhe për këtë arsye jam këtu duke shprehur këto konsiderata sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme për moralin e sistemit të drejtësisë, për moralin e reformës në drejtësi, për moralin e institucioneve të reja të drejtësisë që të mos vazhdojë kalvari i familjeve të viktimave,” – u shpreh Rama./euronews/

 

Të ngjashme