Rama pritet në takim nga kryeministri britanik: Bashkojmë forcat për të luftuar grupet kriminale

18:44 | 23 Mars 2023
E.H

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është pritur nga homologu i tij britanik, Rishi Sunak në Mbretërinë e Bashkuar.

Kryeministri britanik Sunak ka mirëpritur kryeministrin Rama duke theksuar se në fokus të takimit të tyre do të jetë çështja e emigracionit të paligjshëm shqiptar drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Rishi Sunak: Jam i kënaqur që do të diskutojmë për çështjen kaq shumë të diskutueshme sa është çështja e emigracionit të paligjshëm në Britaninë e Madhe. Mezi kam pritur që të kem këtë bisedë të drejtpërdrejtë me ju. Për të gjitha këto dhe të tjera, jam shumë i nderuar që do të diskutojmë sot.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama i ka shprehur homologut të tij britanik se do të bashkojnë forcat për të luftuar grupet kriminale, teksa ka thënë se komuniteti shqiptar nuk është ai për të cilin shkruhet, por që përfaqëson të tjera vlera.

Rama ka siguruar kryeministrin britanik Sunak se do të ketë një përfshirje dhe bashkëpunim më të madh me Britaninë përsa i përket emigracionit të paligjshëm teksa ka shtuar se duhet shmangur përfshirja e njerëzve të pafajshëm në këtë vorbull.

Edi Rama: Faleminderit kryeministër, jam shumë i nderuar. Siç e dini, kjo është vizita e parë zyrtare e një kryeministri shqiptar. Është një moment i veçantë sa i përket bashkëpunimit tonë, siç e thatë dhe ju ne tashmë kemi bashkuar forcat për të luftuar rrjetet kriminale dhe të shmangim përfshirjen e njerëzve të pafajshëm në këtë vorbull. Në të njëjtën kohë, të falenderoj sepse kjo është një mundësi për të nënvizuar se jo të gjithë britanikët janë si James Bond apo Mr. Bean dhe jo të gjithë shqiptarët janë karaktere negativë, apo një djalë që vjen me varkë nuk është thjesht një shqiptar, por është pjesë e një panorame më të gjerë. Dua Lipa nuk është vetëm një këngëtare britanike, por është dhe një emigrante që ka ardhur këtë, si shumë shqiptarë të tjerë që kanë ardhur për ndërtim, mjekësi, kuzhinë, që ndjehen jo vetëm të sigurt këtu por edhe të nderuar. Në aspektin e sigurisë kemi gjithë angazhimin për të forcuar bashkëpunimin. Jemi gati për të bërë më të mirën dhe ju ftoj në Tiranë sepse asnjë kryeministër britanik nuk e ka vizituar Shqipërinë që nga Winston Churchill./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme