Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vizitoi sot Laboratorin e Medieve Digjitale, në departamentin e Gazetarisë pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, të Universitetit të Tiranës.
Rama u takua me studentë e pedagogë, me të cilët improvizoi më pas një podkast, si personazh i intervistuar nga studentët, lidhur me çështje të ndryshme.
I pyetur sesi ka menduar që të adresojë papunësinë e të rinjve dhe fatkeqësisht ikjen e trurit nga Shqipëria, Rama tha se, “kjo është një pyetje që me të drejtë bëhet prej kohësh tanimë dhe është një përgjigje që nuk ndryshon. Duhet të punojmë me këmbëngulje dhe duhet të bëjmë durim se kapërcimet e atilla që Shqipëria të jetë në gjendje t’u ofrojë të rinjve që ikin atë që ata presin ta marrin menjëherë atje ku shkojnë, nuk bëhen dot në një kohë të shkurtër. Nuk bëhen dot thjeshtë nga dëshira, por rruga është kjo: Kalimi nga një laborator analog i vjetër, tek ky laborator është një hap më shumë drejt stimulimit tuaj për të pasur më shumë dëshirë për t’iu përkushtuar këtyre instrumenteve të rinj që keni këtu dhe për t’u ndjerë më mirë këtu në vendin tuaj, hap pas hapi”.
I pyetur nëse nëse sot do të kishte mundësinë të pikturonte politikën shqiptare, çfarë ngjyrash do të përdorte, Rama tha se, “nuk mendoj se ka një ngjyrë “të keqe” apo një ngjyrë “të mirë””.
“Unë nuk mendoj që e zeza është fajtore meqë është e zezë, se për shembull, këtu e zeza bën një punë shumë të lavdërueshme dhe të respektueshme dhe nga ana tjetër mendoj që politika shqiptare i ka absolutisht të gjitha ngjyrat nga më të zbehtat, tek më të ndezurat. Por, do kujdesesha që të mos lija asnjë lloj ngjyre pa futur aty brenda. Domethënë një kaos koloristik”, theksoi Rama.
Sa i përket një figure historike që e ka inspiruar dhe që sot po ta kishte këshilltarin e tij mbase do t’i merrte një mendim për diçka, Rama u shpreh se njëri prej tyre është Sharl dë Gol (Charles de Gaulle).
“Janë shumë mësuesit që historia na ka vënë në dispozicion dhe që mund të na ndihmojnë përmes librave për aq sa ne jemi natyrisht në gjendje ti kuptojmë deri në fund, por për t’ju dhënë një, por jo se ky “një” është i vetmi ose se të tjerët, por ai që më vjen menjëherë në mend për shembull është Sharl de Gol dhe gjithçka që ai bëri për Francën dhe sot është gjithmonë e më e dhimbshme mungesa e tij edhe pse në një kohë tjetër, edhe pse në një kontekst tjetër”, tha kreu i qeverisë.
I pyetur se çfarë do të ishte një pyetje që mund t’i bënte nëse do ta kishte sot përballë, Rama u përgjigj: “Nuk e di, nuk di ta them, sepse nëse do ta kisha përballë ndoshta nuk do të kisha as kurajën të bëja ndonjë pyetje por, sepse kishte dhe hije të rëndë shumë Gjenerali, por mbase një pyetje që do t’i bëja do të ishte: Andej lart nga më shikon, a bëj ndonjë gjë mirë? Sepse jam i bindur që për shumë gjëra do të kishte vërejtje.”.
Për shprehjen që “nëse po të shajnë, do të thotë që po e bën diçka mirë”, Rama u shpreh se “si rregull, në Shqipëri në qoftë se nuk të shajnë duhet të shqetësohesh sepse mbase nuk je duke bërë asgjë, kur je në një pozicion pune që të gjykojnë të tjerët, natyrisht. Por, kur të shajnë duhet të mos nisesh gjithmonë me idenë që “këta po më shajnë, se unë po e bëj punën mirë”, se mund edhe të të shajnë sepse ti diçka mund ta bësh më mirë”.
I pyetur lidhur me stilin e veçantë të veshjes, të ngjyrave të kravatave dhe çorapeve, kryeministri Rama tha se kravata është ishulli i fundit i lirisë që i ka mbetur.
Pyetjes se kush ia ka marrë ishujt e tjerë, Rama iu përgjigj se, “kjo do një podkast më vete por, për shembull, mua më kujtohet që kur u bëra kryetar i Partisë Socialiste dhe të nesërmen shkova në zyrë, Pandeli Majko ishte bërë Sekretar i Përgjithshëm dhe ne ishim kundërshtarë, sepse ai u vendos kandidat nga grupi që mbështeste në atë kohë Rexhep Mejdanin, që ishte kandidati rival i imi, dhe ndërkohë, nga ana jonë ishte Arta Dade që ishte kandidate. Faktikisht, të dy pozicionet i fituan dy përfaqësues të dy grupeve në atë Kongres dhe unë shkoj tek zyra e Pandit dhe i them: “Dëgjo tani, ti ishe kundër meje por tani ne duhet të punojmë bashkë”. “Dëgjo, – më tha, – përpara sesa ta hapim këtë bisedë, shko hiq çorapet e kuqe dhe martohu”. Besoj që aty ka filluar procesi. I kam, por i vesh shumë rrallë”.
I pyetur për kritikat ndaj gazetarëve dhe nëse e sheh investimin në këtë laborator si një gjë për t’i marrë me të mirë gazetarët, Rama tha: “Unë? Nuk besoj. Ju këtu keni një profesor që quhet Mark Marku. Unë nuk besoj se merret me të mirë, në pikën që të marrë me të mira pastaj. Që ai të më marrë me të mira, unë duhet të iki nga kjo punë. Për sa kohë do rri në këtë punë ai nuk më merr mua me të mira, por që përtej shakasë, që në këtë rast është më shumë se gjysma e së vërtetës, unë, meraku im nuk është te kompjuterët apo diçka tjetër. Meraku im është që sa ju do t’i përkushtoheni dhe një gjëje tjetër, që në fakt është themeli i gjithë punës së një gazetari, sipas meje, që është kultura e të lexuarit dhe kultura e të shkruarit dhe sa, për shembull, ato fletët që pashë rrugës nëpër shkallë me QR Code që ishin vendosur për të lexuar në mënyrë digjitale pjesë nga Ismail Kadareja janë tërheqëse, saqë juve të ndaloni dhe t’i lexoni të gjitha. Nëse ju bëni këtë, me siguri që do jeni më pak të kritikueshëm si gazetarë, sepse ajo që të revolton me gazetarët nuk është kur të thonë të vërtetën, pavarësisht se ty mund të të vijë hidhur, por ajo që të revolton është fakti që një opinion e paraqesin si fakt, ndërkohë që faktet janë fakte dhe opinionet janë opinione dhe duhet të jenë të ndara. Ky është dhe besoj që kultura e leximit, kultura e të shkruarit janë sfida kryesore. Se ja, podkastin ne e bëmë, por as u munduam të lexojmë, as u munduam të shkruajmë, thjesht bëmë muhabet”.
Bashkimi mposht Vëllaznimin dhe kalon në finale të Kupës
Elvana Gjata krejt shkëlqim në paraqitjen e saj të fundit
A mund të mbyllet TikTok në Shqipëri? Ekspertët e IT-së treg...
“Kosova s’është në linjë me SHBA-në”, Haradinaj tregon çka i...
Kërcënon presidenti i Brazilit: Nëse Trump ndryshon tarifat ...
Asnjë i mbijetuar pas përplasjes së avionit me helikopterin ...