Rama për takimin me shqiptarët në Athinë: Shfaqi dëshirën për të hapur kapitull të ri vëllazërimi e paqeje me prosperitet me Greqinë

20:26 | 12 Maj 2024
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka falenderuar të gjithë emigrantët shqiptarë që morën pjesë në takimin me diasporën të mbajtur ditën e sotme në Athinë.

Me anë të një postimi në “Facebook”, Rama thotë se të gjithë ata që ishin të pranishëm në Stadiumin Galatsi, u bënë shembëlltyra e një zemre gjigande shqiptare, që rrahu anembanë vendit fqinj, shkruan Arbresh.info.

E pikërisht për këtë shëmbëlltyrë, Rama shprehet se e ka shfaqur Shqipërinë me krenari dhe dëshirë e fortë për të hapur një kapitull të ri vëllazërimi, rendi europian e paqeje me prosperitet me Greqinë.

Rama shtoi se realiteti i afirmuar i grekëve të Shqipërisë, na e ka vënë përpara syve ftesën për ta parë të shkuarën përmes të ardhmes, e jo më anasjelltas, nëse duam që Shqipëria dhe Greqia të bëjnë për popujt e tyre, atë që popujt e tyre kanë bërë për njëri-tjetrin përgjatë historisë.

Postimi i plotë:

“Faleminderit nga zemra. Para nisjes për Tiranë nga Athina, pas përjetimit në çdo qelizë të frymës së thellë të atdheut mes shqiptarëve të Greqisë dhe me ndjenjën më të hatashme të mirënjohjes, për të gjithë ata që u derdhën lumë drejt Stadiumit Galatsi, ku u bënë shembëlltyra e një zemre gjigande shqiptare, që rrahu anembanë vendit fqinj, duke e shfaqur sot Shqipërinë me të gjithë krenarinë legjitime të bijve e bijave të saj dhe me dëshirën e fortë për të hapur, sipas porosisë së Naimit tonë një kapitull të ri vëllazërimi, rendi europian e paqeje me prosperitet me Greqinë, ku realiteti i ri që ka krijuar afirmimi qytetar i shqiptarëve të Greqisë, si edhe realiteti i afirmuar i grekëve të Shqipërisë, na e ka vënë mu përpara syve ftesën e urtë për ta parë të shkuarën përmes të ardhmes, e jo më anasjelltas, nëse duam bashkarisht që më në fund, Shqipëria dhe Greqia të bëjnë për popujt e tyre, atë që popujt e tyre kanë bërë për njëri-tjetrin përgjatë historisë”, shkroi Rama./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme