Google ADS

Rama për sulmin kibernetik: Ka dyshime për dy shtete

10:31 | 21 Korrik 2022
A Z

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se ka dyshime për dy shtete për sulmin kibernetik me të cilin u përball vendi ditëve të fundit.

Shefi i qeverisë shqiptare tha para mediave se sulmi nuk është sulm i organizuar nga hakerë të zakonshëm, ndërkohë njoftoi se shërbimet për publikun në E-Albania janë rikthyer masivisht.

“Kemi punuar, ose më saktë skuadra e AKSHI-t ka punuar natë dhe ditë dhe do të kemi një konferencë të posaçme për shtyp kur gjithçka të ketë përfunduar. Ajo që dua të nënvizoj është se së pari sulmi nuk është një sulm i organizuar nga hackera të zakonshëm dhe as nga grupe njerëzish të kësaj bote të errët që bëjnë shpesh herë ndërmarrje të tilla edhe ndaj shteteve shumë të mëdha dhe të fuqishme për të vendosur gjoba të majme. Ky është një agresion i organizuar nga një shtet. Nuk kemi ende provat për të përcaktuar 1 prej 2 shteteve të dyshuara. Kjo është pjesa delikate e investigimit”.

“Nuk dua të spekuloj sepse kjo është shumë serioze. Në momentin që do kemi provat do marrim aksione konkrete të natyrës diplomatike ndaj cilitdo prej këtyre shteteve që është autori i këtij agresioni kriminal kundrejt Shqipërisë. Më lejoni të jen i rezervuar. Kemi qenë realisht në një luftë me një agresor që bombardonte nga të gjitha anët të gjitha sistemet tona në hapësirën virtuale”.

“Në ato shtete nuk ka vend për të arsyetuar në mënyrë logjike që buron nga ligjet ndërkombëtare. Janë shtete që nuk duan të dinë për ligjin ndërkombëtare, por nga ana tjetër ne do na duhet të marrim hapat tanë. Pavarësisht se janë dy shtete jo miqësore me Shqipërinë, nuk duam t’i marrim nëpër gojë. Ky sulm shumë i fortë kibernetik ka treguar forcën e sistemit tonë. Është një sulm që ndodh edhe në SHBA, jo më në Shqipëri. Këto janë detaje, nuk dua të bëjë ekspertin kibernetik, do t’i diskutoni me skuadrën që po përfundon Brenda kësaj fundjave të gjithë risistemimin pas bombardimit”, tha Rama. /abcnews

Të ngjashme