Google ADS

Rama për Srebrenicën: Revizionizmi keqdashës i historisë mund të çojë në të njëjtat gabime dhe krime

18:46 | 11 Korrik 2020
Arditë Shkodra

“Shkrimi i historisë me qëllim të keq mund të çojë në të njëjtat gabime”. Këtë mesazh përçoi kryeministri Edi Rama në cilësinë e kryetarit të OSBE-së në 25 vjetorin e masakrës së Srebrenicës.

Rama vlerëson se nuk janë nxjerrë mësime nga këto “gabime”, pasi “krime po bëhen përsëri”.

Atë se çfarë ka ndodhur në Srebrenicës në 1995 ku njësi serbe vranë atje mbi 8.000 djem dhe burra myslimanë, shefi i qeverisë shqiptare e lidh edhe me luftën në Kosovë disa vite më vonë, por pavarësisht kësaj ende askush nuk është vënë përpara drejtësisë.

Rama: Shkalla dhe egërsia e këtij gjenocidi është një tragjedi që rëndon sot mbi shpirtin tonë, edhe 25 vite më vonë. Unë shpreh respektin ndaj viktimave që u vranë pa mëshirë dhe ofroj ngushëllimet e mia të thella për familjet e atyre që humbën jetë. Rishkrimi me qëllimin e keq i historisë mund të çojë në të njëjtat gabime dhe krime që po bëhen përsëri. Gjyqtarët lokalë dhe ndërkombëtarë kanë dokumentuar atë që ndodhi në Srebrenicë dhe rrethinat e saj në vitin 1995. Kjo nënvizon domosdoshmërinë e dhënies së drejtësisë. Mosndëshkimi nuk është opsion. Ne gjithmonë themi se Srebrenica nuk duhet të përsëritet kurrë, por vetëm disa vite më vonë pati një konflikt shkatërrues në Kosovë. Përgjegjësia për krimet u takon atyre që i kanë kryer. Por, shoqëritë janë gjithashtu fajtore nëse ato nuk kujtojnë dhe nuk mësojnë nga leksionet e asaj që ndodhi në Srebrenicë.

Ishte data 11 korrik 1995, ora 4:15 e mëngjesit, kur forcat ushtarake serbo-boshnjake do të nënshtronin rreth 45 mijë banorët e një baze në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinës.

Në zonën e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara, 30 mijë gra dhe fëmijë u dëbuan brenda dy ditëve, me mijëra gra e vajza boshnjake të rëna pre e përdhunimeve.

Nga 15 mijë meshkuj të besimit mysliman që tentuan të largohen me këmbë mes pyjeve për t’i shpëtuar ushtarëve, vetëm 3 mijë prej tyre arritën t’i mbijetojnë kurthit të ngritur, ndërsa 8 mijë të tjerë vijojnë edhe sot të gjenden mes varreve masive të gërmuara kudo në vend.

25-vjetori i ngjarjes u kujtua të shtunën me një seri aktivitetesh, megjithëse të kufizuara në pjesëmarrje në kushtet aktuale të pandemisë.

Spastrimi etnik i viteve ’90 i realizuar ndaj komunitetit mysliman nga forcat serboboshnjake u realizua me synimin e krijimit të Serbisë së Madhe, plan territorial që kishte përkrahjen edhe të presidentit aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, atëkohë politikan i ri në radhët e radikalëve.

Ngjarja edhe sot vijon të refuzohet si gjenocid nga autoritetet e Republikës Serbe ndërsa sondazhet tregojnë se mendimin kundër e ndajnë edhe shumica e popullit serb të Bosnjës.

Të ngjashme