Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas zhurmës së krijuar ditën e sotme lidhur me sulmin e tij ndaj disa gazetarëve që po e intervistonini pas mbarimit të seancës që vendosi për mosarrestimin e Sajmir Tahirit.
Përmes një postimi në faqen e vet në Facebook, Rama nuk pranon të ketë ofenduar askënd duke shtuar se ka shprehur vetëm një opinion për punën e mediave në Shqipëri.
Sipas Ramës, turpi i mbetet kujtdo që e shtrembëron, shkel apo shkatërron të vërtetën nga pozitat e gazetarit, duke vënë në gojë gjëra që ai s’i ka thënë.
“Po pse qenkan ofenduar gazetarët nga unë ! Sipas tyre po edhe sipas të tjerësh, në kazanin mediatik e në atë politik, i paskam fyer sot pas seancës së Kuvendit!
Fare! Nuk kam fyer askënd. Thjesht kam dhënë opinionin tim, për çka ata kanë bërë, gjatë gjithë këtyre ditëve duke e dizinformuar publikun lidhur me qëndrimet e mia dhe të Partisë Socialiste!
Padiskutim ata janë në të drejtën e tyre të mos dëgjojnë dhe të mos kuptojnë. Janë në lirinë e tyre të dëgjojnë siç u bëjnë veshët dhe kur çka nuk e dinë, të mos përpiqen as ta mësojnë. Janë në punën e tyre që ta bëjnë punën duke shkelur me këmbë çdo normë e rregull bazik të një profesioni aq fisnik e të vështirë.
Por as ata – dhe këtu nuk flas, siç nuk fola as sot thjesht për gazetarët e terrenit, po të gjithë ata që lirinë e pushtetit të medias janë mësuar ta përdorin si armë për të “vrarë e prerë”, pa teklif e as karar – dhe as kushdo tjetër, nuk më ndalon dot mua të shpreh opinionin tim; qoftë për turpin që i mbetet kujtdo që e shtrembëron, shkel apo shkatërron të vërtetën nga pozitat e gazetarit, duke më vënë në gojë gjëra që s’i kam thënë dhe jo vetëm; qoftë për paditurinë që shfaqet brutalisht nga mëngjesi deri në darkë, si liri dhe e drejtë për të dhunuar lirinë e të drejtat e tjetrit, në emër të profesionit (kur je gazetar je ëngjëll, kur je politikan je djall dhe o burra bjeri t’i biem); qoftë për transformimin e urës së komunikimit mes politikës e publikut, në një gryjë thashethemnaje frenetike, ku nuk e merr vesh i pari të dytin!
Kështu që kush është ndjerë i ofenduar, të mos keqkuptohet. S’kam ofenduar askënd dhe s’ka asgjë për t’u ofenduar. Thjesht dikush, unë në këtë rast, u ka thënë në mexhelis se çfarë mendon për punën që kanë bërë tërë këtë javë, në raport me qëndrimet e mia e të Partisë Socialiste”, shkruan Rama.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...