Shpresoj që në vitin 2030 Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për gazetën italiane ”Corriere della Sera”.
”Në tavolinën e punës së Edi Ramës, i njohur nga të gjithë si Edi, i cili korrikun e kaluar mbushi 60 vjeç, përkrah dosjeve delikate të postit së tij si kryeministër i Shqipërisë, ndodhen edhe një mori lapsash dhe stilolapsash me ngjyra, shkruan Leonard Berberi për ”Corriere della Sera”.
Ish-kryetari i bashkisë së Tiranës, ish-basketbollist, por gjithashtu edhe artist me një të kaluar si pedagog i pikturës në Akademinë e Arteve në Tiranë, i përdor për të bërë “vizatimet e tij të rastësishme”. Këto vizatime herë pas here përfundojnë edhe mbi dokumentet zyrtare që nuk kanë më vlerë.
Është pikërisht ky kombinim ngjyrash, dëshira për rilindje (si e tij ashtu edhe e vendit), dhe realpolitika që i kanë mundësuar liderit socialist të rilindë fillimisht Tiranën dhe sot të përballet me sfidën për të sjellë tre milionë bashkëkombës në “familjen e madhe” të Bashkimit Evropian. Ndërkohë, jashtë portave të kontinentit – dhe ndonjëherë edhe brenda tij – ka ndodhur dhe ndodh gjithçka.
Rama, që udhëheq vendin që nga viti 2013 pas tre fitoreve radhazi (një rekord për demokracinë lokale), po përgatitet t’i kërkojë popullit të tij një mandat të katërt në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Në të njëjtën kohë, ai po përpiqet të mbrojë popullatën (sidomos të rinjtë) duke bllokuar për një vit TikTok-un në Shqipëri.
CDS: Zoti Kryeministër, viti 2024 ishte një vit me shumë zgjedhje në botë. Sipas jush, çfarë fotografimi mund të bëhet për rezultatet, duke filluar nga ato evropiane dhe ato për presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara?
Rama: Bota demokratike, në përgjithësi, duket se ka hyrë në një fazë të madhe trazirash dhe, për fat të keq, viti që sapo ka filluar duket edhe më i pasigurt se sa ai që sapo mbaroi.
CDS: Çfarë viti ishte për Shqipërinë 2024-a? Dhe çfarë pritet për 2025-ën?
Rama: Ishte një vit i shënuar nga një psherëtimë lehtësimi, pasi më në fund jemi ulur në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pas një rrugëtimi të gjatë reformash, plot me pengesa të vështira. Ndjesia është si ajo e marinarëve që, pas një udhëtimi të gjatë, më në fund shohin tokë.
CDS: Cilat janë sfidat kryesore që vendi juaj duhet të përballojë?
Rama: Gjithçka që do të na çojë drejt hapit të madh historik të hyrjes në Bashkimin Evropian dhe ta transformojë Shqipërinë në një vend, ku e kaluara nuk mund të marrë më peng të ardhmen.
CDS: Ju keni qenë kryeministër që nga shtatori 2013. Nëse do t’i jepnit vetes një vlerësim, cili do të ishte ai?
Rama: Nuk më takon mua t’i jap vetes asnjë vlerësim. Në majin e ardhshëm, do të mirëpres me përulësi votën e qytetarëve, sepse është ajo që ka rëndësi.
CDS: Në Evropë, pjesëmarrja në votime ka rënë. Në Itali, për shembull, në disa zgjedhje lokale pjesëmarrja është nën 50%. Sipas jush, çfarë po ndodh me shoqëritë?
Rama: Në Shqipëri, mund të them se ende mbajmë nivele të mira pjesëmarrjeje, duke marrë parasysh vetëm qytetarët rezidentë në vend. Do të jetë interesante të shohim se sa do të votojnë për herë të parë nga jashtë. Për sa i përket Evropës, ndoshta po përhapet një ide gjithnjë e më e zakonshme që, në fund të fundit, asgjë nuk ndryshon dhe që votimet nuk kanë ndonjë rëndësi. Kjo është shqetësuese, sepse mund të nënkuptojë që një histori e vjetër dhe shumë e keqe rrezikon të përsëritet.
CDS: Shumë njerëz e kanë vënë re se ju jeni një kryeministër i qendrës së majtë, por keni marrëdhënie të shkëlqyera me Giorgia Melonin, një kryeministre e qendrës së djathtë. Duke lënë mënjanë marrëdhëniet personale – ju keni pasur lidhje të forta edhe me ish-kryeministrat italianë Matteo Renzi dhe Mario Draghi – a jetojmë në një epokë ku kufijtë politikë po zhduken, të paktën për çështje të mëdha si emigracioni?
Rama: Nuk do ta shihja si një çështje ideologjike. Siç e kam thënë shpesh, me Italinë kemi një marrëdhënie shumë të veçantë për t’u kufizuar nga përkatësitë ideologjike.
CDS: Liderët e shteteve të ndryshme sot po përballen me sfida më të mëdha krahasuar me 10 apo 20 vjet më parë? Po mendoj për emigracionin, tensionet globale, pandeminë, luftrat tregtare…
Rama: Problemi është ndoshta që liderët e sotëm, veçanërisht në Evropë, kanë më pak mundësi për të ndikuar. Kjo sepse çështjet themelore kanë dalë jashtë kontrollit të qeverive kombëtare, ndërsa Bashkimi Evropian mbetet një krijesë e papërfunduar, dhe kjo është çështja më e madhe.
CDS: A ju befasoi fitorja e Donald Trumpit nëntorin e kaluar?
Rama: Jo, aspak. Ishte e parashikueshme.
CDS: Si mendoni se do të sillet Trump në mandatin e tij të dytë?
Rama: Si dikush që është kthyer në majën e botës pasi ka qenë buzë humnerës duke prekur madje edhe vdekjen. Ai kurrë nuk ka fshehur bindjen se zoti kishte një arsye të veçantë për ta mbajtur gjallë ndërsa kandidonte për Shtëpinë e Bardhë.
CDS: Fitorja e Trumpit është një paralajmërim për Evropën?
Rama: Duke vazhduar paralelen me zotin, ai nuk mund të bënte asgjë më bujare për të përpjekur të zgjojë Evropën.
CDS: Çfarë doni të thoni?
Rama: Shpresoj që kjo përpjekje të japë rezultatet e dëshiruara, përndryshe mund të ketë dhimbje të mëdha përpara.
CDS: Në cilin vit, sipas jush, Shqipëria do të hyjë në BE?
Rama: Unë nuk jam profet.
CDS: Por, megjithatë, nëse ju kërkoj një vit?
Rama: Shpresoj në vitin 2030.
CDS: Ju jeni gjithashtu një artist, përveç se baba. Si arrini të udhëhiqni një vend të ndërlikuar dhe njëkohësisht të vazhdoni jetën tuaj private dhe pasionet tuaja?
Rama: Bashkëshortja ime mund t’ju japë përgjigjen e vërtetë. Sepse janë ajo dhe fëmijët tanë që e dinë më mirë se të gjithë, përfshirë mua, se të flasësh për jetën private, në kushtet e mia, është pothuajse një eufemizëm. Për ta, kjo pothuajse kufizohet me ofendimin.
CDS: Atëherë më tregoni një gjë që do të donit të ndodhte në vitin 2025 dhe një gjë që do të donit të sillnit nga viti 2024?
Rama: Pa dyshim do të doja përfundimin e luftës në Ukrainë. Nga viti 2024 do të doja të mos ndryshoja moshën time, por fatkeqësisht do të jem një vit më i madh.
CDS: A mendoni se jeni më shumë i dashur apo i vlerësuar jashtë vendit tuaj apo brenda tij?
Rama: ”I dashur” është një fjalë shumë e madhe për ta pretenduar, veçanërisht në kohë kur rrjetet sociale dhe platformat digjitale e kthejnë gjithçka në mish të grirë. Por, kurrë nuk do të ankohem.
CDS: A do të kandidoni për një mandat të katërt radhazi?
Rama: Të kandidoj për një mandat të katërt dhe të kem një mbështetje që premton për mirë është tashmë diçka e veçantë.
CDS: Pra, do të kandidoni sërish. Por, kush do të jetë pas Ramës, kur Rama të vendosë të bëjë diçka tjetër?
Rama: Me lejen e Zotit dhe të shëndetit, shpresoj për një jetë me një celular që merr pak mesazhe. Kjo do të ishte tashmë një tjetër Rama. Pjesa tjetër, do të vijë./atsh.al
Flick thyen heshtjen dhe flet pasi La Liga ka bllokuar regji...
Degradon Xuxi, ofendon me fjalë të rënda Gjestin, ja çka i t...
Diell dhe vranësira, parashikimi i motit për pesë ditët e ar...
Në kërkim të titullit, Inter Miami i Lionel Messit shumë pra...
Furgoni përplaset me makinë në Lezhë, një i lënduar
KQZ: Shorti për renditjen e subjekteve politike tërhiqet nes...