Google ADS

Rama paralajmëron rritje të çmimeve për turistët

18:30 | 10 Gusht 2023
KRG

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa” ka folur në lidhje me turizmin në Shqipëri, pas postimit të fotos në rrjete sociale në lidhje me ardhjen e shumtë të tursitëve italianë në Shqipëri.

Fillimisht ai shpjegon fenomenin e titullit “Maldivet e Mesdheut” të përdorur në mënyre frekuente për të përshkruar Shqipërinë, duke thënë se kjo verë ka qenë përtej pritshmërive.

“Ne po ecim në gjurmët që ka përshkuar vendi juaj (Italia). Por kjo verë ka qenë përtej pritshmërive. Kemi pasur një rritje prej 35% të turistëve, shifrat e italianëve janë mbresëlënëse dhe janë afër gjysmë milioni. Në fillim të mandatit tim (2013), aeroporti i Tiranës trajtonte maksimumi 350 mijë kalime në vit. Tani mbi 6.5 milionë”, tha kryeministri.

Rama shtoi se sot vijnë turistët dhe përzihen me dëshirë me shqiptarët, ka ndryshuar qasja në dallim nga e kaluara që paragjykoheshin si “kriminelë, mafiozë, emigrantë të varfër”.

“Duhet të kompensojmë kohën e humbur. Por kujdes: nuk duam të bëjmë gabimet e mëdha të Italisë apo vendeve të tjera, të brigjeve apo të qyteteve të pushtuara. Mbërritjet masive dhe kostot e ulëta (low coast – ed.) mund të shkatërrojnë të ardhmen dhe të lënë pas eko-përbindësha dhe katastrofa mjedisore”, theksoi kryeministri.

Numri një i qeverisë vërejti se Shqipëria ka barazuar Greqinë dhe sapo ka kaluar Italinë për numrin e turistëve për frymë.

“E pabesueshme, por ne kemi punuar shumë për të në këto vite të Rilindjes Shqiptare. Duke parë përpara, ne duam turizëm të balancuar dhe gjithnjë e më të nivelit të lartë. Duhen tre apo katër vjet për të qenë gati për të parakaluar me të mëdhenjtë”, garantoi ai.

Rama kujtoi gjithashtu se autoritetet shqiptare nuk duan të bien “në grackën e mjaltit”, pasi shifrat e sotshme mund të mashtrojnë brezat e ardhshëm.

“Turizmi masiv nuk është i qëndrueshëm për mjedisin. Duhet ekuilibër për të mbrojtur natyrën. Por kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Po vrapojmë kundër erës”, pohoi kryeministri./Syri.net

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme