Partia Socialiste përgatitet që të futet edhe e vetme në zgjedhjet parlamentare më 18 Qershor. Ky ka qenë mesazhi i kryemi nistrit, Edi Rama në mbledhjen – e përjavshme të grupit parlamentar të PS-së. Ndërsa edhe më parë Rama ka deklaruar se zgjedhjet do të mbahen edhe pa opozitën, dje ai ka folur për hyrjen në zgjedhje edhe pa partnerët e koalicionit.
Burime të “Shekulli-t” në grupin parlamentar të PS-së kanë bërë më dije se, Rama e ka thënë qartë se PS-ja nuk do të pres Bashën për të hyrë në zgjedhje dhe as aleatët. “Me Saliun, pa Saliun, me Bashën apo pa Bashën, në koalicion, ose qoftë edhe të vetëm, më 18 Qershor do të shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Rama në mbledhje me dyer të mbyllura. Ai ka theksuar se nuk ka asnjë pengesë ligjore që pengon PS-në të futet në zgjedhje, qoftë dhe e vetme. Po ashtu, Rama u ka kërkuar dje deputetëve që të mos reagojnë për deklaratat e përfaqësuesve të LSIsë. Edhe pse prej ditësh përfaqësuesit e LSI-së sulmojnë PS-së për dështimet e qeverisë, Rama u ka kërkuar deputetëve që të mos reagojnë.
Zgjedhjet pa PD dhe LSI
Kryesocialisti Rama ka qartësuar deputetët mbi dyshimet për futjen apo shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Rama mësohet se u ka thënë deputetëve se PS ka vetëm një skenarë, futjen në zgjedhje edhe nëse opozita nuk do të hyjë. Ai nuk do të pres as aleatët. “Alternativa e vetme është futja në zgjedhje dhe fitorja. Nuk ka asnjë ligj që na e ndalon. Edhe të vetëm ne do të shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Rama në mbledhjen me dyer të mbyllura. Në vijim, ai ka porositur deputetët që të mos ç’fokusohen nga debatet që nxit PDja sa i përket zgjedhjeve, por të nisin fushatën, me një qëllim të vetëm, fitore edhe më të thellë se në 2013. “Nuk na interesojnë debatet, kjo është loja e PD-së, ne kemi punën tonë”, ka thënë kreu i Partisë Socialiste.
Porositë për LSI
Ndërsa LSI është hedhur në ofensivë duke bërë përgjegjëse PS-në për dështimet përgjatë këtyre mbi 3 viteve e gjysmë në qeveri, Rama u ka kërkuar deputetëve të rrinë indiferentë. Burime nga grupi kuvendor i PS-së kanë bërë të ditur se, ndonëse Rama nuk ka përmendur fjalë për fjalë LSI-në, ai u ka kërkuar deputetëve që të mos provokohen dhe të bëjnë deklarata. Sipas po të njëjtave burime, Rama është shprehur se PS-ja është partia më e madhe dhe ajo “do të marrë përgjegjësitë, si për arritjet, ashtu edhe për dështimet”. Ai ka shtuar, PS-ja është ajo që do reformat dhe këtë deputetët duhet tua bëjnë të qartë qytetarëve. Saktësisht, Rama u ka kërkuar deputetëve që të mos “nxiten nga emocionet” dhe të bëjnë deklarata në media mbi situatën e krijuar. Sipas kryesocialistit, fokusi i deputetëve duhet të jenë vetëm përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme.
Spostimi i deputetëve
Kreu i qeverisë, Edi Rama po ashtu ua ka bërë të qartë deputetëve se do të ketë spostime të tyre në zgjedhjet që janë parashikuar të mbahen në 18 Qershor. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar, që zgjati gati dy orë, Rama ka theksuar se do të ketë spostime të deputetëve por u ka kërkuar që pavarësisht kësaj, ata duhet të punojnë “fortë në elektorat dhe të mos presin listat e deputetëve në fund të prillit”. Sipas kësaj deklarate të Ramës, do të ketë zhvendosje të deputetëve në qarqe të tjera krahasuar me zgjedhjet e 2013 dhe ndryshim në renditje në listat. Kjo do të qartësohet në fund të prillit kur Kongresi do të miratojë listat e deputetëve për zgjedhje.
Angazhimi në zgjedhjet
Nuk do të jetë vetëm deputetët që do të jenë të angazhuar në fushatë por edhe drejtorët që janë punësuar. Kryesocialisti Rama ka theksuar se PS-ja duhet të dalë “jo vetëm forca e parë në zgjedhjet e ardhshme por të jetë fituese me rezultat të thellë” krahasuar me partitë e tjera. Për këtë, ai ka porositur deputetët që pavarësisht se çfarë do të bëhet me listat deri në fund të prillit, ata duhet të jenë në çdo njësi dhe të flasin me qytetarët mbi reformat që janë ndërmarrë dhe ajo që do të bëhet në një mandat të dytë të PS-së në krye të qeverisë. Po ashtu, Rama ka kërkuar nga deputetët që të angazhojnë të gjithë njerëzit e punësuar në të gjithë vendin. “Drejtorët do të jenë njësoj përgjegjës si ju për rezultatin e zgjedhjeve”, ka thënë Rama në mbledhjen me dyer të mbyllura. Porosia e fundit ka qenë për prezencën e tyre në seancën parlamentare. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi ka thënë se prezenca e deputetëve të PS-së të enjten në seancë është e domosdoshme për votimin e disa marrëveshjeve dhe më e rëndësishmja votimi i dekreteve të Nishanit për ministrat. Ai ka bërë të ditur se 4 ministrat do të votohen këtë të enjte në Parlament.
Meta: Politika t’i zgjidhë problemet
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta mori pjesë në një takim me strukturat e Lëvizjes së Gruas për Integrim të qytetit të Lushnjes. Në fjalën e tij, Meta është shprehur se politika duhet t’i zgjedh problemet dhe jo t’i rendojë ato. Në vijim ai është shprehur për fuqizimin e gruas. “Fuqizimi juaj është fuqizim i familjes, është investim i drejtpërdrejtë. Një në- në çdo të ardhur më shumë që fiton do ta investojë për shkollën e fëmijës, për mirëqenien e familjes. Forcimi dhe fuqizimi i gruas dhe i nënës është fuqizim i familjes dhe kjo është shumë e rëndë- sishme për shoqërinë tonë të tronditur gjatë këtyre 26 viteve nga trauma të mëdha sociale, që përjeton vazhdimisht, për një pjesë të mirë të të cilave shkaktare është politika konfliktuale, që nuk merret me zgjidhjen e këtyre çështjeve sociale. Politika ka për detyrë t’ i zgjidhë problemet, t’i pakësojë ato dhe jo t’i shtojë dhe t’i rëndojë”, ka theksuar Meta.
LSI, Rama: Dekretet e ministrave, respektojmë tagrin e kryeministrit
Lëvizja Socialiste për Integrim paralajmëron votën pro katër dekreteve të presidentit Nishani për ministrat e kabinetit qeveritar. Një konfirmim i tillë erdhi nga kryetari i grupit të LSI-së, Luan Rama gjatë një interviste për ABC Neës u shpreh se partia që bën pjesë dhe kryetari i saj, Ilir Meta, asnjëherë nuk i ka vendosur apo ka kërkuar heqje ministrash. “E kam theksuar dhe po e ritheksoj edhe këtu që çështjen e ndryshimit të ministrave, e shkarkimit, lirimit apo e zëvendësimit të ministrave në kabinetin qeveritar është një e drejtë ekskluzive, kushtetuese e Kryeministrit. LSI, që prej fillimit të bashkëqeverisjes me PS asnjëherë nuk është imponuar, asnjëherë nuk ka kërkuar, as LSI dhe as kryetari i saj, z. Meta, dhe as nuk kemi ndërmend të kërkojmë ndonjëherë që të largohet ky apo ai ministër për t’u zëvendësuar me këtë apo me atë ministër.
Duke qenë se ne respektojmë tagrin kushtetues të Kryeministrit, çështja e votimit në Kuvend është një çështje procedure e karakterit formal dhe unë nuk mendoj se ka arsye të qenësishme që LSI të veprojë ndryshe nga sa ka vepruar për sa herë është thirrur të votojë kur ka qenë fjala për ndryshimet e iniciuara nga iniciativa kushtetuese e Kryeministrit. E thashë që nuk ka asnjë arsye dhe asnjë motiv që LSI të veprojë ndryshe konstantes së qëndrimit të vet politik kur është fjala për dekretim të ministrave në përputhje me të gjitha tagrat kushtetuese”, tha Rama. Ndërsa sa i përket bojkot të zgjedhjeve të PD-së, apo qëndrimit të kryeministrit se do shkohet në votime pa PD-në, zyrtari i lartë i LSIsë ka mendim të kundërt. “Zgjedhjet pa opozitën, nuk janë zgjedhje. Fakti që thashë që zgjedhjet pa opozitën janë një farsë, që zgjedhjet pa opozitën nuk i shërbejnë as vendit dhe as procesit të integrimit dhe nuk janë një sjellje e përgjegjshme politike e një vendi anëtar të NATO-s”, tha Rama.
Ai theksoi se duhet një dialog politik dhe se është absurde çadra e ngritur nga opozita. Ndërsa ka dhën dhe një reagim ndaj idesë së Ramës për dalje në zgjedhje dhe pa LSI-në. “Për sa kohë unë nuk kam burim zyrtar apo një qëndrim publik të Kryeministrit në lidhje me këtë rezervoj të drejtën të komentoj. Sepse e para nuk është etike dhe korrekte të komentosh me “sikur”. Po kaq, kam vlerësimin tim maksimal që situata politike në të cilën ndodhet vendi, kriza politike e krijuar dhe e agravuar, në vlerësimin tim, për shkak të mungesës së dialogut politik si një institucion i qenësishëm dhe i rëndësishëm i funksionimit të demokracisë në një vend, gjykoj se nuk ka vend për gjuhë ultimative, nuk ka vend për gjuhë arrogante”, theksoi Rama.
Basha: Zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë
Kreu i opozitës, Lulzim Basha rea goi dje pas deklarimeve të kry eministrit Rama se PS-ja do të – – hyjë në zgjedhje, me apo pa Parinë Demokratike. Në një reagim për këtë qëndrim të Partisë Socialiste, Basha tha se nuk do të ketë zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. “Zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë’’, ka deklaruar Basha. Në vijim, ai thotë se pa opozitën nuk mund të ketë zgjedhje. Sipas tij, vetëm në sistemin e kaluar bëheshin zgjedhje pa partitë opozitare. Ai theksoi se qëndresa e PD-së do të jetë deri në largimin e Ramës nga posti i kryeministrit. “Edi Rama dhe udhëheqësit e lartë të PS-së, pothuajse të gjithë funksionarë ose pinjollë të ishelitës komuniste, ngatërrojnë dëshirat e tyre me vullnetin e popullit dhe identifikojnë karrigen e tyre me demokracinë. Ata e kanë të vështirë të kuptojnë pluralizmin, të kuptojnë sovranitetin e qytetarëve mbi pushtetin e tyre.
Trimat dhe trimëreshat socialiste, shërbëtorë të krimit por që ndihen padronë të popullit, duhet të kuptojnë se zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë, se qeverisje të dalë nga zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë”, reagoi kryetari i Partisë Demokratike. Në vijim ai thotë se zgjedhje të manipuluara dhe të kontrolluara nga krimi nuk mund të ketë. Sipas Bashës, zgjedhjet nuk duhen parë si ngutje por ajo që ka rëndë- si, sipas tij, është standardi i tyre. “Ne nuk kemi asnjë ngut dhe nuk kemi asnjë mëdyshje. Ne jemi të qetë, por të palëkundur në qëndresën tonë. Zgjedhje të ndikuara apo kontrolluara nga krimi nuk do të ketë. Zgjedhje me shërbëtorë të krimit në qeverisje nuk do të ketë. Zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë. Situata është e qartë dhe e thjeshtë: ne jemi me popullin, ata janë me krimin. Vetëm njerëzit me gjendje jo të kthjellët psikike nuk e kuptojnë dot se cili do të jetë rezultati i kësaj përballjeje”, theksoi kryeopozitari. Partia Demokratike dje hyri në ditën e 31 të protestës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. PD ka thënë se nuk do të hyjë në zgjedhje me Ramën dhe kërkon qeveri teknike. Përfaqësuesit e PS-së nga ana tjetër thonë se kërkesa e PD-së për qeveri teknike është absurde.
Parashikimi i motit për sot
OBSH ngre alarmin: Rriten me mbi 200% rastet e fruthit në Ev...
Rrahjet e zemrës nga kafja – A duhet të shqetësoheni?
Pse Xheneta nuk mund të bëjë debate pa ofendime? Ja arsyetim...
Vinicius Junior ka humbur penalltinë ndaj Venezuelës
Si e kupton paracetamoli ku është dhimbja?