Rama: Nga e marta, Shqipëria hap një tjetër kapitull me BE-në

18:39 | 16 Dhjetor 2024
E.G

Në një takim të zhvilluar në Kryeministri me ish-punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës, AMP-së dhe Shërbimit Zjarrfikës, për të vlerësuar kontributet e tyre gjatë misioneve në shërbim të vendit, kreu i qeverisë shq1iptare deklaroi se duke nisur nga dita e nesërme Shqipëria hap një tjetër kapitull me Bashkimin Evropian.

Kryeministri shpjegoi se niset sonte bashkë me delegacionin që e shoqëron drejt Brukselit, për të marrë pjesën në konferencën e tretë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, në kuadër të procesit të negociatave, ku siç tha ai po punohet shumë për të marrë maksimumin në këtë proces negociues me familjen europiane.

“Me shumë respekt do t’u kërkoj ndjesë sepse duhet të nisem për Bruksel se nesër kemi një tjetër moment shumë domethënës, sepse hapim një tjetër grupkapitull të negociatave. Kemi shumë besim që ta kthejmë këtë moment pozitiv, që të marrim sa më shumë nga BE, në aspektin e negociatave dhe mundësisht të arrijmë t’i mbyllim negociata përpara sesa BE, se si dihet asnjëherë, të kthehet në atë humorin e mëparshëm. Kështu që ju falënderoj edhe njëherë dhe po shkojmë të bëjmë këtë gjë nesër”, u shpreh Rama.

Në fjalën e tij, kryeministri ironizoi edhe opozitën, e cila sipas tij u ka premtuar pensione nga 500 deri në 1 mijë euro, premtime të cilat i konsideroi si të pabaza.

“Policia e shtetit ishte e tradhtuar nga vetë shteti. Tani ata që vuajnë këtë pasojë dhe që janë viktima të gjalla të politikës qorre, të atyre që sot e gjithë ditën thonë se do i bëjnë pensionet 500, 1000 euro, shesin qilima fluturues si qilimat e Sudes dhe të Rrapushit dhe këtu është dallimi se në fund të ditës pensionistët që nga 2014 dhe sot me reformën e bërë janë trajtuar si të nënës. Përpara janë trajtuar si të njerkës”, tha Rama.

/rtsh.al/

Të ngjashme