Rama në Vjenë: Austriakët i shqetëson rrugëkalimi nga Shqipëria

18:11 | 29 Maj 2018
Arbresh.info

Shqetësimi për ekzistencën e një “rruge Ballkanike” nga ku kalojnë refugjatët drejt vendeve të Bashkimit Europian është rikthyer në qeverinë austriake.

Fluksi i muajve të fundit e ka rikthyer këtë temë në axhendën politike të vendit, pasi kryeministri Kurz kishte premtuar se kjo rrugë ishte mbyllur më parë.

Duke qenë se pjesë e kësaj rruge është edhe Shqipëria, kryeministri austriak Sebastian Kurz do të takohet me atë shqiptar, Edi Rama.

Kjo është arsyeja që ai pret në Vjenë Edi Ramën, shkruajnë mediat e huaja.

Gazeta austriake, Neue Zürcher Zeitung raporton se shqetësimi i kryeministrit Kurz lindi nga një fluks i ri refugjatësh që erdhën përmes një “rruge shqiptare”, e cila nis me Greqinë në jug dhe vazhdon përmes vendeve të tjera, deri në Slloveni. Nuk ka shenja që mund të përsëritet kriza e vitit 2015, por Kurz ka preferuar të jetë i sigurtë dhe të takojë Edi Ramën.

Neue Zürcher Zeitung sjell një deklaratë të Ministrit të Brendshëm të Austrisë, i cili thotë se nëse vazhdohet me të njëjtat ritme, vendi do të mbylle kufijtë njëherë e mirë për refugjatët. Kjo është arsyeja e takimeve të kryeministrit austriak me krerët e shteteve ballkanike, mes të cilëve edhe Rama.

Shifrat e refugjatëve që hyjnë në Austri janë ulur sërish pas krizës së vitit 2015. Në vitin 2017, vetëm 4 mijë refugjatëve iu dha azil në Austri. “Ekspertët konfirmojnë se numri i emigrantëve që vijnë nga Ballkani është rritur krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kryeministri austriak thotë se rritja është gati me 150%” shkruan Neue Zürcher Zeitung./Lapsi.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme