Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Londër se “forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe hapja e një kapitulli të ri duke krijuar një zonë të re Shengen brenda Ballkanit Perëndimor do të sjellë mundësi më të mëdha për rajonin”.
Kryeministri Rama ndodhet në Londër, ku po merr pjesë në forumin mbi Ballkanin Perëndimor, organizuar nga prestigjiozja Financial Times me temë: “Mundësia e investimit në një rajon me rritje të shpejtë”.
“Unë mendoj që potenciali ynë qëndron te bashkëpunimi dhe ndërveprimi rajonal dhe jam shumë i bindur që, nëse tregohemi të zgjuar e të vendosur në forcimin e bashkëpunimit tonë rajonal dhe nëse hapim një kapitull të ri, thjesht duke e shndërruar këtë historinë dhe politikën obsesive të kufijve në një qasje të re dhe duke krijuar një zonë të re Shengen brenda Ballkanit Perëndimor e duke i transformuar kufijtë nga arsye për grindje e politika të ndezura në pika fluide takimi, pa dyshim do jemi më të hapur ndaj mundësive më të mëdha dhe do mund të eksplorojmë një pjesë të vlefshme të potencialit tonë të paprekur”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se jemi duke jetuar një periudhë interesante. “Po përjetojmë reforma të rëndësishme brenda rajonit, kemi shifra me peshë që tregojnë ndryshimet që po ndodhin. Patjetër është e qartë që nuk mjaftojnë”, tha Rama në fillim të fjalës së tij.
Në Shqipëri, shtoi kryeministri, po punojmë fort që të reformojmë sistemin e drejtësisë, në mënyrë që vendi të ketë një pozitë më të fortë për t’i ofruar jo vetëm qytetarëve tanë, por edhe investitorëve, garancitë maksimale, si dhe produktivitetin maksimal në investimet e tyre.
Në të njëjtën kohë, Rama tha se “ne e dimë shumë mirë që duhet të ndërthurim burimet tona natyrore, sidomos naftën dhe mineralet, si dhe energjinë hidrike”.
“Po ashtu duhet të kujdesemi për investimet turistike përgjatë bregdetit. Së fundmi kemi marrë një lajm shumë të mirë nga Shell, që kishte zbuluar një rezervë shumë të rëndësishme me naftë të cilësisë së lartë, që premton një perspektivë të madhe në këtë drejtim. Po ashtu kemi disa investime shumë të rëndësishme në bregdet me linjën gazsjellëse, që shpresoj të materializohet së shpejti”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “shifrat tona në sektorin e turizmit po rriten nga viti në vit”. Pra, tha ai, po arrijmë rezultate shumë të mira në mposhtjen e papunësisë. “Siç e përmendi Banka Botërore në raportin e vitit të kaluar kemi rezultate të mira, por patjetër e kemi të qartë që ato që kemi bërë nuk mjaftojnë dhe duhet të bëjmë shumë më shumë dhe t’i arrijmë më shpejt qëllimet tona”, shtoi Rama/ATSH.
Kryeministri Kurti thërret sonte konferencë për media
Osmani për shpërthimin në Zubin Potok: Bandat kriminale serb...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, Aivo Orav: E dënoj rastin, përgje...
ShBA-ja dënon sulmin në Ibër-Lepenc: Qeveria e ka mbështetje...
Momentet më pikante mes Sarës dhe Drilonit, çfarë po ndodh m...
Rusia mbyll muzeun e njohur që dokumenton mizoritë e Gulagut