Kryeministri Edi Rama ka hedhur dritë mbi vizitat e tij gjatë ditëve të fundit në Francë dhe Gjermani.
Në mediat pranë Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim nisën të qarkullojnë zëra se kryeministri është sëmurë, por Rama dje ka përgënjeshtruar gjithçka. Gjatë një daljeje “LIVE” në Facebook, kreu i qeverisë shpjegoi arsyet e vizitës joformale siç e quan ai, duke thënë se ndodhej në Paris dhe Berlin për të pastruar njollosjen që opozita po eksporton në Europë. Rama deklaroi se gjatë vizitës së tij, u kërkoi partnerëve të vendit mbështetjen për hapjen e negociatave të Shqipërisë në qershor. “Siç e shihni jam mirë dhe nuk jam në spital në Berlin, por në zyrën time në Tiranë. Njerëz jemi, larg qoftë edhe mund te sëmuremi por nuk ishte rasti im. Në Berlin kam kaluar dje pasi qëndrova dy ditë në Paris dhe isha për hall, jo për shëndetin tim por për të takuar miq dhe partnerë të Shqipërisë për t’iu shpjeguar me sa të mundesha arsyet e pamjeve të shëmtuara që kundërshtarët tani rrugë-humbur me shfaqjet e tyre eksportojnë nëpër botë, nga ato pseudo-protestat e tyre. Për t’iu kërkuar mbështetje për çeljen zyrtare të negociatave për anëtarësimin dhe për të kuptuar më shumë për situatën e brendshme politike në vendet kyçe për vendimmarrjen mbi negociatat me Shqipërinë. Nuk ishte një vizitë zyrtare, ishte një vizitë jo formale pune”, u shpreh Rama.
Opozita po prek fundin
Kreu i qeverisë deklaroi se PD-LSI kanë prekur fundin, sepse sipas tij nuk kanë më ide për të zhvilluar betejën politike dhe sajojnë lajme të rreme për kundërshtarin politik. Rama u shpreh se i mëshiron ata që kanë sajuar këtë histori, duke shtuar se ata nuk kanë as elementin bazik të njerzillëkut. “Të bësh opozitë duke sajuar lajme të rreme për sëmundjen e kundërshtarit politik do të thotë të kesh prekur fundin, do të thotë jo që nuk ke më alternativë për të ofruar por dhe ide për të zhvilluar betejën politike, por as atë element bazik njerzillëku që dallon botën e humanëve nga bota e kafshëve, madje është gjynah për kafshët ti krahasosh me njerëzit që arrijnë deri këtu, sepse siç thotë Aristoteli njeriu është e vetmja kafshë të cilës zoti i ka dhënë aftësinë për të arsyetuar dhe kur ai e humb këtë është thjeshtë një egërsirë që ja kalon çdo kafshe. Sidoqoftë me keqardhjen për shqetësimin që i është krijuar shumëkujt mua nuk më mbetet gjë tjetër veçse ti mëshiroj ata që e sajuan këtë histori”, deklaroi kryeministri Rama.
Rama “kërcënon” opozitën
Kreu i qeverisë deklaroi se do të padisë në gjykatë shpifësin e kësaj historie dhe do të paguajë për shqetësimin që i krijoi publikut. Rama u shpreh se PD-LSI përmes dezinformimit po tallet me qytetarët, duke shtuar se ata kanë humbur rrugën dhe nuk meritojnë as t’i dëgjosh dhe as t’i ndjekësh nga pas. “Duke qenë se ndryshe nga kafshët, për ta ka ligje të cilat i kanë shkelur në mënyrë flagrante, do t’iu kërkoj të përgjigjen në gjyq dhe të paguajnë për sajesën që shqetësoj një dynja me njerëz. Por ndërkohë ky është një tjetër rast. Që ju miq të kuptoni se sa keq tallen me ju, me të vërtetën dhe detyrën për të informuar publikun. Bota e kazanëve dhe 100 kadrinjëve të mexhlisit tonë. Më vjen vërtet keq për këdo që i klikon, i sheh dhe i dëgjon këto egërsira që e përdhunojnë për ditë e për natë lirinë e fjalës, të drejtën e informimit, nevojën e opinionit për të mësuar çfarë ndodh dhe për të debatuar mbi atë që ndodh me të vërtetë. Kurse atyre që i ndjekin ende nga pas rrugë humburit e dëshpëruar që bëjnë politikë duke sajuar lloj-lloj poshtërsish u them a e kuptoni sa gjynah jeni për besimin që iu jepni këtyre krijesave”, u shpreh Rama./sot news
Kryeministri rumun pranon se Kosova luajti mirë, por thotë s...
Zëdhënësja e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut: Mbledhja e pë...
Ahmeti, Qeverisë së Kosovës: Mos heshtë për shqiptarët në RM...
Të paktën 11 të vrarë, 89 të plagosur nga sulmi rus në Ukrai...
4.9 milionë vizitorë në zonat e mbrojtura në Shqipëri, Kumba...
Fshehën kokainën në lëkurë të kafshëve, të dyshuarit dalin s...