Edi Rama ka arritur të ndryshojë në mënyrë të njëanshme, nenet e Kodit Zgjedhor që shkelin marrëveshjen e 5 qershorit, që ishte dhe kushti kryesor për integrimin në BE. Përfaqësuesi për politikën e jashtme në PPE Michael Grahler paralajmëroi se rrezikohet shtyrja ose anulimi i mbledhjes ndërqeveritare duke i kërkuar presidentit anulimin e ligjit. Ambasadorja amerikane, dhe ambasadori britanik u shprehën të zhgënjyer, për shmangien e Këshillit Politik nga mazhoranca. Për ekspertët e integrimit ky është dështimi më i madh i Shqipërisë në këto 30 vite
Kryeministri Edi Rama, ka arritur të ndryshojë me 97 vota pro në mënyrë të njëanshme kodin elektoral. Deputetët e mazhorancës dhe ata të listave të opozitës, në shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit, të firmosur nga palët nën garancinë e Shteteve të Bashkuar, Bashkimit Evropian por dhe Mbretërinë e Bashkuar, vendosën që në zgjedhjet e ardhshme mos ketë koalicione parazgjedhore, listat të qëndrojnë të mbyllura. Rama prishi kështu një traditë të paktën 20-vjeçare të hartimit të rregullave zgjedhorë, duke injoruar sinjalet që i kanë ardhur herë të forta dhe herë të moderuara nga partnerët. Ky veprim pritet të ketë si pasojë kryesore shtyrjen e mbledhjes ndërqeveritare për hapjen e negociatave. BE çështjen e Kodit Zgjedhor e ka vënë në krye të kushteve për t’u përmbushur.
Reagimi i PPE
Reagimi evropian do ishte i menjëhershëm. Përfaqësuesi në PPE për politikën e jashtme, Michael Gahler, e quajti votimin e djeshëm “një hije të errët” që Kryeministri kërkon të bëjë me zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij me këtë veprim Rama qartësisht pengon integrimin evropian të vendit. “Duke votuar shkeljen e Marrëveshjes së 5 Qershorit të negociuar nga Bashkimi Evropian me opozitën, kryeministri shqiptar Edi Rama hodhi një hije të errët mbi zgjedhjet e ardhshme të prillit, të cilat duhet të ishin të lira e të ndershme, dhe më të mira se të mëparshmet. Me këtë veprim Rama qartësisht pengon integrimin evropian të Shqipërisë. Më saktësisht, shkelja e marrëveshjes së 5 Qershorit rrezikon të bllokojë dhe të shtyjë Konferencën e parë Ndërqeveritare si hapin e parë për fillimin e negociatave të pranimit në BE”, bën të qartë eurodeputeti në qëndrimin e tij menjëherë pas votimit në Kuvend.
Më tej zoti Gahler, i bën thirrje Presidentit të Republikës ta kthejë mbrapsht ligjin e votuar në parlament, ndërsa Ramës të rishohë pozicionin e tij. “Ne i bëjmë thirrje Presidentit t’i kthejë ligjin e sotëm Parlamentit. Ne i bëjmë thirrje Kryeministrit Rama të rishikojë pozicionin e tij për hir të së ardhmes evropiane të popullit shqiptar”, shprehet Gahler. Kujtojmë se PPE është grupimi më i madh në parlamentin Evropian, pjesë e të cilit është dhe CDU e Kancelares Merkel.
Garantët e marrëveshjes
Reagim ka pasur dhe nga garantët direkt të marrëveshjes së 5 Qershorit në Tiranë. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Youri Kim, do e quante një dështim të mazhorancës për të arritur konsensusin votimin e djeshëm. “SHBA bëri të qartë që ajo marrëveshje duhet të respektohet dhe se çfarëdo masash shtesë duhen shqyrtuar dhe miratuar në mënyrë të ngjashme transparente dhe përfshirëse në Këshillin Politik. Sot (dje), partia qeverisëse ndaloi diskutimet në Këshillin Politik dhe votoi për të miratuar ndryshime domethënëse të rregullave që do të qeverisin zgjedhjet e 25 prillit. Ndërkohë që ishte brenda kompetencave të parlamentit për t’i miratuar këto ndryshime, dhe ndërkohë që këto ndryshime janë shtesë – dhe jo shkelje – të marrëveshjes së 5 qershorit, është për të ardhur keq që shumica dështoi të respektonte përkushtimin e deklaruar prej vetë asaj për të kërkuar emërues të përbashkët në Këshillin Politik”, thotë Ambasadorja Kim, në selinë e të cilës u nënshkrua marrëveshja.
E zhgënjyer në qëndrimin e saj shfaqet dhe ambasada e Britanisë së Madhe. Në një reagim zyrtar të saj thuhet se “Marrëveshja e 5 qershorit ishte një hap i rëndësishëm përpara, i bërë i mundur përmes dialogut dhe negociatave. Na vjen keq që ndryshimet e sotme (djeshme) në Kodin Zgjedhor janë bërë pa marrëveshjen e Këshillit Politik dhe pa përpjekje rraskapitëse për të gjetur konsensusin”, thuhet në reagimin zyrtar. Kujtojmë se zoti Dunckan Norman, ambasadori britanik në Tiranë, ishte dhe ky një ndër garantët e marrëveshjes të firmosur në rezidencën e ambasadës amerikane.
Ekspertët
Për ekspertin e çështje ndërkombëtare Afrim Krasniqi, votimi në shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit është nga dështimet më të mëdha me të cilat Shqipëria shkon në vendimmarrjen e nëntorit. Sipas Krasniqit, ndryshimet e sistemit rrezikojnë ta fusin Shqipërinë në një krizë dhe konflikt të ri politik, ndërsa një rishikim i Kodit Zgjedhor pas kthimit nga ana e Presidentit siç dhe ka paralajmëruar vazhdimisht, ka shumë pak gjasa të ndodhë.
“Vendimi i njëanshëm i parlamentit për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, pavarësisht negociatave në këshillin politik, dhe pavarësisht këshillave ndërkombëtare që të ketë kompromis në ndryshimin e bazës kryesore që lidhet me zgjedhjet, është një zhvillim shqetësues është një zhvillim negativ. I shkon për shtat interesit elektoral të një partie politike, aktualisht në qeveri dhe jo interesit publik, sidomos në raport me proceset e integrimit. Një nga kushtet kryesore të BE për konferencën e parë ndërqeveritare ishte miratimi konsensual i reformës zgjedhore, dhe ky është një nga dështimet më të mëdha me të cilat Shqipëria po shkon në Berlin dhe Bruksel për t’u prezantuar në vendimmarrjen e muajit të ardhshëm. Ndryshimi i Kodit Zgjedhor krijon dhe një hapësirë tjetër rishikimi për sa kohë që presidenti i republikës do ushtrojë të drejtën e vet, dhe siç ka paralajmëruar do e kthejë kodin. Po shanset për ta rishikuar nga ana e mazhorancës janë minimale. Në këto rrethana Shqipëria shkon drejt një situate të re politike, një krize dhe një konflikti të ri politik” -thotë Krasniqi. /Mapo
Dianës i vjen motra në shtëpi, i thotë të dal nga shtëpia se...
Sjelljet e Xhenetës në shtëpi – Vëllai i Madh e çon automati...
Nesër Forumi i Rinisë i LDK-së dorëzon kallëzim penal në Pro...
Pllaka më e vjetër prej guri e mbishkruar me Urdhërimet e Bi...
Muriqi: I ka munguar Kosovës një lojtar si Jashari
Countryman: Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është kyç