Rama me fermerët në Berat: Kam dy rekorde, njerin nuk ma merr dot njeri

12:31 | 23 Prill 2025
E.K

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka zhvilluar një takim elektoral me fermerët në qytetin e Beratit këtë të mërkurë, ku u shpreh se bujqësia ka bërë përparim të ndjeshëm gjatë mandateve të tij.

Gjatë fjalës së tij, Rama ka theksuar se qeveria ka mbështetur këtë sektor dhe ka promovuar politika të reja që ndihmojnë fermerët për të përmirësuar kushte pune dhe aksesin në financa.

Në një moment të fjalës së tij, Rama bëri dhe disa batuta me të pranishmit, ku tha se ai ka dy rekorde, njërin prej të cilëve nuk ja merr dot njeri.

“Një rekord e kam unë. Dy kam në fakt, një është botëror, një kombëtar. Botërori është që jam piktori më i mirë mes kryeministrave në të gjithë botën. Dhe jam kryeministri më i mirë mes piktorëve në të gjithë botën. Këtë nuk ma merr njeri. Ky është Guinness,” u shpreh Rama, duke qeshur me audiencën. “Rekordi kombëtar që kam është që nga 1912 të gjithë kryeministrat deri këtu, nëse i bashkojmë të gjithë kilometrat që kanë bërë në Shqipëri, janë shumë mbrapa meje,” tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi gjithashtu se fermerët do të kenë mbështetje të vazhdueshme përmes një linje financimi prej 250 milionë eurosh, që ka për qëllim lehtësimin e aksesit në kredi për sektorin e bujqësisë dhe zhvillimin rural.

Ai u shpreh se qeveria do të vazhdojë të mbështesë këdo që ka nevojë, duke i ofruar mundësi për financim dhe zhvillim të qëndrueshëm.

“Përmes instrumentit të ri financiar, linjës së financimit prej 250 milionë eurosh, Banka e Shqipërisë ofron mundësi për fermerët dhe sipërmarrësit në zonat rurale që të marrin kredi me 70% kolateral të garantuar nga shteti dhe me normë interesi nën 3%,” tha Rama.

Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e agro-turizmit dhe bashkëpunimin mes fermerëve, grumbulluesve dhe përpunuesve si faktorët kryesorë për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në Shqipëri.

Rama shprehu kënaqësinë që ka parë progres në këtë fushë dhe u angazhua të vazhdojë mbështetjen për të gjithë ata që janë të angazhuar në bujqësi dhe agroturizëm./euronews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm