Google ADS

Rama me dy standarte ndaj Gjykatës së Hagës, ndryshe për Haradinajn, ndryshe për Thaçin

02:02 | 25 Qershor 2020
Trina Galanxhi

Thirrja e papritur e mikut të tij dhe presidentit të Kosovës Hashim Thaçi nga Gjykata speciale ka kapur të pa përgatitur jo vetëm organizuesit e tryezës së Uashingtonit, por edhe Edi Ramën. Ai ka bërë një dedikim të ndjer ndaj Thaçit dhe Veselit. Por ajo që bie në sy është një nuancë jo e vogël, që flet për dy standartet e kryeministrit tonë. Sepse Lapsi.al i ka krahasuar dhe reagimi i tij ka qenë krejt i ndryshëm kur Haga thirri për intervistë ish kryeministrin Haradinaj, gjë që shkaktoi më pas edhe dorëheqjen e tij dhe shumë më i angazhuar sot.

Në statusin pro Thaçit dhe Veselit kryeministri shqiptar ka shkruar:

“Qëkur e kam marrë lajmin e listës së Tribunalit Special dhe kam lexuar emrat e kriminelëve të supozuar të Luftës Çlirimtare të Kosovës, përpiqem po nuk arrij të formuloj fjalitë e duhura për të shprehur indinjatën time!

Do të shprehem publikisht nesër me një mesazh për të gjithë shqiptarët, por jam e do të jem deri në fund, në krah të të gjithë atyre që luftuan me armë për ta çprangosur Kosovën e burgosur në ferrin e Sllobodan Milosheviçit, duke mbyllur me gjak, nder e lavdi një histori padrejtësie historike në zemër të Europës!RROFTË KOSOVA dhe sot më shumë se kurrë NDERIM UDHËHEQËSVE TË LUFTËS ÇLIRIMTARE.

Pra nëse në këtë rast Rama i quan dy të akuzuarit “kriminelë të supozuar” dhe i nderon si udhëheqës të luftës, për Ramushin e konsideron thirrjen nga specialia si një sfidë personale.

Lexojeni më poshtë satusin e Ramës në korrik 2019: “Këto ftesa në radhë nga Haga për protagonistët e UÇK, janë një sfidë e re e çdonjërit prej të thirrurve, në vazhdën 20 vjeçare të betejës së pasluftës, për të provuar deri në fund pafajësinë e tyre. Por janë edhe një sfidë e papërfunduar kombëtare në anën e duhur të historisë”.

Pra diferenca e dy postimeve te krahasuara nga Lapsi.al është e qartë dhe është e vështirë që ajo të shpjegohet vetëm me kundërshtitë që ai ka pasur me Haradinajn dhe me miqësinë që ruan me Thaçin.

Më tepër neutraliteti ndaj të parit dhe hidhërimi për të dytin lidhet edhe me partizanllëkun e kryeministrit për planin që Hashim Thaçi po shkonte të realizonte në Uashington dhe që u prish papritmas. Vetëm një zhgënjim i këtyre përmasave mund të shpjegojë qëndrimin me dy standarte ndaj Gjykatës speciale./lapsi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme