Google ADS

Rama largon përfundimisht Tahirin nga PS. Felaj: Karriera politike e tij përfundoi me dënimin

16:49 | 20 Shtator 2019
A. B.

Kryetarja e Komisionit të Sigurisë Kombëtare Ermonela Felaj, njëkohësisht deputete e shumicës socialiste në Kuvendin e Shqipërisë deklaroi se karriera politike e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri ka përfunduar me vendimin e dënimit që dha dje Gjykata e Shkallës së Parë te Krimet e Rënda.

Deputetja e PS-së u shpreh se ish-ministrin e kap ligji i dekriminalizimit dhe nuk mund të ushtrojë funksione publike, pasi u dënua me burg, pavarësisht se u konvertua më pas në shërbim prove.

“E penalizon ligji i dekriminalizimit pas vuajtjes së dënimit. Çdo person që dënohet penalizohet në ligjin për dekriminalizimin. Patjetër është një dënim që e penalizon. Nuk mund të zgjidhet apo të ushtrojë funksione publike. Ne çdo rast duhet ti referohemi një vendimi përfundimtar.

Nëse flasim për një vendim përfundimtar ligji është i qartë, vendos pengesa për personat që janë dënuar me burgim” tha ajo. Por a ka përfunduar karriera e Tahirit me këtë vendim? “Karriera e çdo kujt do të përfundojë nëse do të kishte këtë dënim” theksoi Felaj në Report.

Por a e përjashton Saimir Tahirin edhe nga funksionet partiake në PS përfundimisht dënimi nga Krimet e Rënda?

“Askush as PS dhe as tjetër nuk është në gjendje të gjëmojë bindjet e brendshme të dikujt, as për rastin në fjalë nuk do të kisha një përgjigje. Por për të filluar punë në institucione ku zgjidhesh në administratë apo tjetër kemi vendosur pengesa për ata që kanë dënime me burgim, apo është dhënë një masë sigurimi nga një shtet i BE-së dhe është disponuar një masë dëbimi.

Nëse i rrimë strikt e shoh të pamundur që në një afat kohor të gjatë ti rikthehen jetës publike apo ushtrimin të funksioneve. Nuk di ndonjë rast që PS-ja të ketë inkurajuar dikë që të qëndrojë nëse është zbuluar nga ligji i dekriminalizimit. Kjo është një sjellje e mirë, Rama është shprehur i pari për të përmirësuar ligjin. Ne kemi ligjin, këtë barrierë kemi vendosur të jetë më e fortë dhe e qëndrueshme prandaj duam ta përmirësojmë” tha ajo.

Më pas Felaj komentoi edhe vendimin e gjykatës dhe provat e paraqitura nga prokuroria. “Nuk do të kisha komente rreth vendimit sepse ne e kemi vlerësuar dhe e konsiderojmë si cështje të drejtësisë. Nuk mund të rri pa bërë disa konstatime. Tahiri është dërguar me burgim nga gjykata. Fakti i vuajtjes së dënimit është një mënyrë e vuajtjes së dënimit, por është dënuar për shpërdorim detyre.

Nga ana tjetër është i pari ministër që shkon para gjykatës dhe dënohet me burg. Një ish-ministër me partinë e tij në pushtet u përball me drejtësinë dhe drejtësia dha një vendim duke e dënuar. Ka më shumë se dy vjet se përballet me drejtësinë, ka qenë i shkëputur nga cdo privilegj, detyrë apo pushtet që i jepte PS-ja. Në të shkuarën asnjë nuk ka shkuar në gjykatë, jo më të dënohej. Kemi 26 të vdekur në Gërdec dhe 4 të vrarë në bulevard dhe askush nuk mbajti asnjë përgjegjësi dhe vijojnë të gëzojnë të njëjtat privilegje. Ne kemi bërë kallëzime për ish-ministrat e PD-së, por nuk di se cfarë është bërë.

Asnjë ish-ministër i pushtetit të dikurshëm nuk ka shkuar në gjykatë dhe jo më të dënohet. Për akuzën e shpërdorimit të detyrës është shënuar një hap përpara. Dënimi vjen në proporcion me faktet. Për akuzat e tjera gjykata ka bindjen e saj se ato nuk qëndrojnë, për atë që ngelet dënimi është në proporcion. Një nga mënyrat e vuajtjes së dënimit është edhe kryerja e punës në interes publik, përcaktohet në vendimin e gjykatës. Vendimi nuk është përfundimtar, pasi cështja duhet të vijojë në shkallën e dytë dhe Tahiri ka deklaruar se do ta ankimojë cështjen” tha ajo.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme