Google ADS

Rama krenar për drejtimin e mbledhjes së OKB-së: Ne kurrë nuk nxisim trazime etnike as në shtetet fqinje, as mes shteteve fqinje

12:51 | 13 Shtator 2023
E.H

Për herë të dytë, Shqipëria ka marrë kryesimin e Këshillit të Sigurisë së OKB-së.

Kjo po konsiderohet moment historik nga kryeministri shqiptar, Edi Rama i cili theksoi se kjo do të ndikoj në ngritjen e shtetit të Shqipërisë në një nivel më të lartë, shkruan Arbresh.info.

Me anë të një postimi të gjatë në rrjetin social Facebook, Rama tha se ekzistojnë shumë gjëra për të qenë krenar për vendin dhe, sipas Ramës, Shqipëria mund të bëjë edhe më shumë për të ecur drejt majës.

“Javën e ardhshme Shqipëria do të drejtojë Këshillin e Sigurimit, bash në momentin kur e gjithë bota mblidhet në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në New York. Ky është një moment historik në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, i cili thotë shumë për ngjitjen e shtetit tonë në një nivel të ri. Ka shumë arsye për të qenë krenarë me Shqipërinë sot, po shumica e tyre janë shumë më tepër motive për të kuptuar se sa shumë mund të bëjë ende Shqipëria dhe për të ecur vendosmërisht drejt majës së re ku duhet me se s’bën të ngjitemi si vend e si popull, e në asnjë mënyrë shkaqe për vetëkënaqësi”, ka shkruar Rama.

Tutje, i pari i ekzekutivit shqiptar ka thënë ajo që duhet të i bëjë krenar është shembulli i veçantë i mos abuzimit me komunitete etnike e që është i pranishëm në vendet e tjera.

Mes tjerash, Rama shtoi se shqiptarët kurrë nuk kanë nxitur trazime etnike as në shtetet fqinje as me shtetet fqinje.

“Por njëri ndër motivet që duhet të na bëjë krenarë e të na frymëzojë në mendimin e veprimin tonë kombëtar dhe politik të kohëve të sotme, është fakti se megjithëse në Ballkanin Perëndimor shqiptarët janë të shtrirë në disa shtete, në shifra të konsiderueshme duhet thënë, Shqipëria është shembull i veçantë i mos abuzimit me komunitetet etnike të saj të pranishme në vende të tjera. Ne kurrë nuk nxisim trazime etnike as në shtetet fqinje, as mes shteteve fqinje, duke prekur ndjenja që mund të ushqejnë kundërshti e të ndezin konflikte në këtë lagje të Europës, ku jemi të gjithë të dënuar të jetojmë së bashku në jetë të jetëve dhe të detyruar të bëjmë çmosin që t’u lemë fëmijëve tanë një hapësirë mirëkuptimi, tolerance, paqeje”, tha tutje Rama.

Lexo edhe:

Rama: Nëse është një vend në rajon që meriton më shumë respekt është Shqipëria

“Për ne në Tiranë, komunitetet etnike të shpërndara në të gjithë Ballkanin Perëndimor janë një urë miqësie dhe bashkëpunimi, ashtu sikundër shqiptarët e vendosur në shumë shtete janë bartësit e një ardhmërie në paqe me të gjithë, jo fitila për t’u ndezur në emër të arsyeve të mosarsyes së të shkuarës, me të cilën ushqehen rëndom këtyre anëve politika dritëshkurtëra të radhës”.

“Nuk ka dyshim se disa rretherrotull, po edhe disa prej aleatëve e partnerëve tanë ndërkombëtarë e marrin nganjëherë si diçka të zakonshme, të mirëqenë e për këtë arsye thuajse të parëndësishme, qasjen tonë emancipuese për ndërtimin dhe ushqyerjen e marrëdhënieve miqësore me të gjithë. Jo se kjo na bën të dyshojmë në këtë qasje tonën, e cila është një qasje sa pragmatike aq edhe thelbësisht vlerore, për një bashkësi europiane si e jona në Shqipëri, po ja që në ndonjë rast apo moment u duhet kujtuar të gjithëve se ne japim besim, respekt, miqësi, por askush asnjëherë nuk duhet të na marrë për qorra, shurdhë apo memecë. Ne mirëpresim kritika e ndihmë për t’u përmirësuar nga gjithkush, po leksione bashkëjetese e respekti për etnitë e tjera Shqipërisë nuk i jep dot askush”, shkroi kryeministri Rama mes tjerash./Arbresh.info

Lexo edhe:

Rama: Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë i domosdoshëm edhe për të ardhmen e qëndrueshme të marrëdhënieve Shqipëri-Serbi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme