Në Tiranë është hapur sot konkursi për dy projektet e para të Korporatës Shqiptare të Investimeve, ku 10 studio prestigjioze paraqesin përpara jurisë ndërkombëtare projekt-idetë për 4 zhvillime të reja, të cilat do t’i hapin rrugë një qasje të re për ndërtimin e zyrave dhe krijimin e hapësira të reja të shërbimeve bashkëkohore për administratën publike.
I pranishëm në aktivitetin e çeljes së këtij konkursi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u shpreh se “shteti vendos në dispozicion pronat publike dhe më pas fton në konkurs investitorë vendas e të huaj për ndërtimin e projekteve”.
Rama tha se “shteti do të përfitojë si pronar i truallit një infrastrukturë të re për institucione publike që ende rrinë në mjedise me qera apo ende nuk e kanë selinë e tyre të shekullit të ri, si për shembull Biblioteka Kombëtare, etj”.
“Janë 10 finalistë të ndarë në dy grupe, 5 për çdo grup që përballë jurisë ndërkombëtare do të prezantojnë projektidetë e tyre lidhur me 4 zhvillime të rëndësishme, që janë 4 zhvillime që i hapin rrugë një faze të re një qasje të re dhe padiskutueshme dhe një roli të ri të shtetit në raport me pronën publike”, tha Rama.
Aktualisht, sipas kryeministrit, “sot institucionet publike paguajnë disa miliona euro në vit qera për të ushtruar aktivitetin e tyre në mjedise që janë larg së qeni të denja për ambicien tonë të Shqipërisë 2030”.
“Janë larg asaj që meritojnë qytetarët që shërbehen nga këto institucione dhe po ashtu për kushtet në të cilat duhet të punojnë shërbëtorët e shtetit”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se “përveçse janë miliona e miliona euro që shkojnë çdo vit për qera, janë një sërë institucionesh që vazhdojnë ushtrojnë aktivitetin e tyre në godina që nuk kanë asnjë lloj vlere të asnjë natyre”.
“Jo vetëm që nuk kanë asnjë vlerë arkitektonike, por paraqesin edhe probleme të vazhdueshme mirëmbajtje si rezultat i të qenit godina të vjetra të trashëguara nga periudha komuniste dhe njëkohësisht të përdorura për qëllime të reja që nuk përshtaten fare me ato mjedise”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se “sot arkitektët janë thirrur të ofrojnë idetë dhe projektet e tyre që të ndërtohet një kompleks i madh qeveritar, i cili do të akomodojë një numër të konsiderueshëm institucionesh dhe nga ana tjetër edhe një tjetër godinë publike ku do të akomodohen të tjera institucione që janë sot në nevojë të madhe për të pasur një vend të denjë për të gjitha kërkesat e tyre”.
“Ky moment është shumë i rëndësishëm pasi më në fund ne kemi një agjenci e cila është krijuar me ligj disa vite më parë, po për ngritjen dhe vënien në punë të së cilës është dashur një punë e gjatë përgatitore, Korporatën Shqiptare të Investimeve. Ajo që do të ndodhë falë Korporatës Shqiptare të Investimeve është që shteti nuk do të dorëzojë më prona si në të shkuarën te privatët, por do të futet në një rol po aq aktiv si përfaqësues i pronës së vetë përmes Korporatës Shqiptare të Investimeve. Kjo do të nxjerrë nga shfrytëzimi i pronave publike të mira publike dhe do të nxjerrë përfitime financiare për vetë shtetin, që do të shërbejnë për investime të mëtejshme. Për ne është kënaqësi që këto sfida të mëdha të zhvillimit të jenë të shoqëruara nga një prani domethënëse të arkitektëve ndërkombëtarë”, shtoi Rama.
Rama solli në vëmendje edhe agjencinë partnere “Demanio” në Itali, e cila e bën këtë punë prej shumë dekadash dhe sot është zotëruese e 44 mijë pronave publike në territorin e Italisë, ku shteti menaxhon pronat me një qasje shumë sipërmarrëse.
Sakaq, studiot pjesëmarrëse në konkurs që do të projektojnë godinat për administratën publike janë Andrea Caputo (Itali) dhe So-il (SHBA), Coldefy (Francë), Embt Architects (Spanjë), Snohetta (Norvegji), Zaha Hadid Architects (Britani e Madhe), Archi-Tectonics (SHBA), Architecture Studio (Francë), Baukuh (Itali), Cook Research (Britani e Madhe), Mad Office (SHBA)./ATSH
Policia sekuestron armë dhe municion në Rahovec, arrestohet ...
Predha godet një shtëpi në Mitrovicë Veriore, policia heton ...
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Slot lavdëron një futbollist për paraqitje të mrekullueshme ...
35-vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku sot bën homazhe...