Rama: Jo dëmshpërblim për zaptuesit e tokës tek Unaza e Re

23:58 | 21 Nëntor 2018
Trina Galanxhi

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do të ketë dëmshpërblim 100% për zaptuesit e tokes tek zona e Unazes se Re.

Në takimin e përjavshëm në Kryeministri në lidhje me zgjidhjen e ankesave të qytetarëve, Rama duke u ndalur tek projekti i Unazës së Madhe dhe protesta e banorëve deklaroi se po kërkohet demshpërblim në mënyrë të paligjshme.

 

Ai i bëri apel banorëve që të mos bllokojnë më rrugën dhe të mos përdoren si mish për top nga forcat politike. Rama shtoi se nje pjese e banoreve kane ndertuar kate te tera biznesi ne toke te zaptuar.

Kreu i qeverisë tha se po abuzohet shumë me fjalën “jam në proces legalizimi” nga qytetarët.

Ai tha se arsyet e moslegalizimit të pronave janë të përcaktuara në ligj, ndërsa theksoi se me ndërtimin e Unazës së Madhe i hapet rrugë zhvillimit të vendit.

 

Individë që në këto vite kanë ndërtuar pa leje dhe kanë krijuar pasuri pa leje, sot kërcënojnë se duan dëmshpërblim 100% nga taksat e qytetarëve, me gjasë të zaptuar në pronën e tyre nga këta individë apo të komunitetit, të cilit i është marrë prona e përbashkët dhe që meriton të ketë Unazën e Re sipas të gjitha standardeve. Keta qe bllokojnë qarkullimin janë shprehja më spektakolare e një degradimi total të të menduarit shoqëror dhe politik të këtij vendi.Të kesh aplikuar për legalizim nuk do të thotë të legalizohesh nëse ngrehina jote bie në shtratin e rrugës, bie në një zonë arkeologjike, bie mbi tubacionet e ujësjellësit apo kanalizimeve apo aty ku kalojnë linjat e energjisë. Janë të përcaktuara në ligj të gjitha rastet që e bëjnë të palegalizueshme një godinë.Ka një abuzim të madh me këtë koncept, pasi nuk është e njëjta gjë fare, të kesh ndërtuar një shtëpi në një territor ku nuk i je bërë pengesë  zhvillimit të nesërm dhe të ndërtosh kate të tëra  për biznes në shtratin e rrugës dhe të pretendosh pas 15 vitesh dëmshpërblim 100%. Për çfarë? Mbi cbazë të ligjit? Dëmshpërblim nga ku? Nga buxheti i shtetit, që është për të ndërtuar shkolla, kopesht, për të ndërtuar rrugë, spitale, për të rritur pagat, për të rritur pensionet. Nga ky buxhet duhet të  marrin para për të dëmshpërblyer zaptuesit profesionistë, me nga 5 deri në 8 vila e biznese të ndërtuar gjatë viteve e rrumpallës së madhe?! Kjo është e papranueshmë dhe kjo nuk gëlltitet dhe nuk tretet në asnjë mënyrë. Kështu që ata njerëz të largohen nga rruga që kanë bllokuar dhe ti hapin rrugë zhvillimit dhe të mos turpërojnë veten dhe familjen e tyre duke u bërë gazi i botës dhe mish për top të atyre të tjerëve që su ka mbetur asgjë në kokë, asgjë në shpirt, por i ka mbetur të tundin flamurin e shqyer të një opozitë që zë rrugën dhe predikon dëmshpërblim për paligjshmëri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme