Google ADS

Rama ironizon opozitën nga Durrësi

23:41 | 29 Mars 2019
Arbresh.info

Akuzave të opozitës për zgjedhje të vjedhura, kryeministri Rama iu përgjigj pikërisht nga Durrësi, ne krah te Vangjush Dakos. Ai i bëri të qartë Bashës se zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen në 2021, ndërsa zgjedhjet e 30 qershorit do të zhvillohen edhe pa opozitën.

Me protesta e pritën qytetarët kryeministrin Edi Rama në Durrës, por shefi i qeverisë nuk u përball me ta. Ai zgjodhi të hyjë në qytet nga një rrugë tjetër. Megjithëkëtë nuk la pa i ironizuar sapo mori fjalën në takimin “Bashkia që Duam”.

“Po më thonte Gjushi kur po vinim, që nesër do keni vizitorë nga Vora, nga Kamza, nga Kavaja, nga Vau i Dejës, nga Shkodra, punonjës të bashkive përkatëse që zhvillojnë turizëm politik”.

Kryeministri tregoi se protestat e opozitës i kishte komentuar dhe në takimin me disa gazetarë italianë që po vizitojnë Shqipërinë.

“Po flisja për çfarë ofron Shqipëria dhe në fund iu thashë, “ofrojmë edhe protesta”. Ata hapën sytë, “çfarë po thotë?” “Po, – iu thashë, – kujt i qëllojnë pushimet me të enjte në mes mund të vijnë te Parlamenti dhe të shohin se si zhvillohet një protestë. Kujt i qëllon në një datë të caktuar të një muaji mund të shohin Bulevardin me protestues”. “Por, – iu thashë, – siç do e shikojnë edhe turistët, janë protesta që zhvillohen vërtet si një furtunë në gotë dhe jo siç i keni parë ju në televizionet tuaja, apo siç i keni parë në fotografitë e artikujve që shoqërojnë protestat që ndodhin këtu. Janë protestues profesionistë, punonjës bashkish që nuk iu shërbejnë qytetarëve në rast se agjencia turistike i nis për protestë.”

Megjithëkëtë zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë tha Kryeministri. Ai u tha qyetarëve të Durrësit se socialistët kanë nisur përgatitjet për vendorët e 30 qershorit, që do të zhvillohen pa asnjë diskutim.

“Ne zgjedhjet do t’i bëjmë si me ata, si pa ata”.

Jo pa ironi ju kthye dhe marrëveshjes me Lulzim Bashën të 17 majit të dy viteve më parë.

“Bëri gabim të madh se tha, “herën e kaluar, pa u djeg, d.m.th., pa djeg mandatet mora gjysmën e qeverisë. Po sikur të digjem, mund t’i marr të gjitha edhe mund të mi japin pa zgjedhje”, se me zgjedhje e di që s’ka.

Edhe, me atë fallxhoren në krahë, i ka thënë fallxhorja, “dëgjo, kam parë filxhan mbrëmë, harroje. Ti do digjesh komplet”. I keni parë ato flakët e fallit. Ndezi flakët ajo. U hodh Luli në flakë. Saliu nga mbrapa, benzinë, benzinë. Shkrumb mandatet të gjitha”.

Ndersa ironizonte frazën e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme kryeministri mori në mbrojtje dhe Vangjush Dakon.

“Foli Gjushi në telefon me Niçen”. Na u bë Niçja si me qenë Aleksandër Moisiu. Keni parë ndonjë emision për Aleksandër Moisiun ju? Ia keni dëgjuar ndonjëherë zërin Aleksandër Moisiut ju, se ka shirita? Zëri i Niçes u bë si me qenë zëri i Luçiano Pavarotit! Nicja!

Këta i nxirrnin të burgosurit nga burgu me leje dhe e merrte në krahë deputeti dhe vinte vërdallë nëpër Durrës me të burgosurit, terrorizonin të gjithë dynjanë lart e poshtë. Diskutojnë e flasin këta! Flasin këta për krim e për kriminelë e për futje hundësh të kriminelëve në zgjedhje, këta! Këta që ne nuk çonim dot komisionerë në të gjithë zonën e Shijakut e andej në Sallmone e hatara të tjera andej! Nuk shkonin dot njerëzit në Komision. U detyrua partia këtu, i çonte nga këtu atje që të mos i njihnin e mos i shihnin të nesërmen.Këta flasin për zgjedhje të lira e të ndershme?!”

Por ndonëse vlerësoi punen e kryebashkiakut të Durrësit, Rama nuk u shpreh për një rikonfirmim të tij në garën për këtë bashki. Ndërsa vetë Dako tha se pas çdo gjeje që është bërë në Durrës qëndron Kryeministri.

“Pas çdo vepre të bukur në Durrës është mbrapa Edi Rama, ajo vela që është penguar dhe do të përfundojë është zgjim i koshiencës”./abcnews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme