Rama: Integrimi në Evropë për Shqipërinë, çështje jetë a vdekje, s’mendova që lumturinë do ta gjeja në këtë ndërtesë

13:11 | 19 Korrik 2022
A Z

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në Konferencën e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ka thënë se integrimit i plotë në Evropë për Shqipërinë është një çështje jetë a vdekje.

Në ditën që shënon çeljen e negociatave për Shqipërinë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ai u shpreh i lumtur, dhe tha se kjo e arritur deri sot, është fundi i fillimit.

“Është shumë e vështirë të besohet se kjo po ndodh, por mjaft kohë ne luftuam kundër besimit se nuk do të ndodhte fare. Të hiqnim dorë nuk na ka shkuar kurrë nëpër mendje. Ka një besim që i mbijeton të gjitha mosmarrëveshjeve tona. Nuk ka rrugë tjetër veç BE-së, është sfida jonë, është misioni ynë, është fati ynë. Për shekuj na është dashur të jetojmë nën perandori dhe regjime që nuk i kemi zgjedhur. Ne zgjodhëm t’i japim gjithçka Evropës sepse besojmë në këtë hapësirë paqeje, por edhe sepse frymëzon një mënyrë tjetër të të menduarit në përkatësinë që shkëputet njëherë e përgjithmonë me të kaluarën. Evropa është ajo që e bën të mundur një Ballkan tjetër. Duke filluar nga sot, bisedimet e anëtarësimit e bëjnë realitetin një vend më të mirë, ajo që kemi arritur deri tani është fundi i një fillimi. Rruga për të arritur deri këtu nuk ka qenë aspak e lehtë. Mes punës së palodhur, premtimeve të pambajtura, si një histori e rrukollisjes së një guri në një kodër ashtu si në mitin e Sizifit. Ne vazhduam të ecnim duke mos e humbur besimin tonë. Integrimi i plotë në Evropë është për Shqipërinë një çështje për jetë a vdekje. Kjo është arsyeja që edhe pse u shtymë padrejtësisht për tri vite me radhë”.

Kreu i qeverisë shqiptare tha se këto vite kanë shumë sfiduese, duke përmendur shkatërrimin e pallatit të vjetër të drejtësisë së korruptuar. Ai tha se nëse përpara do ta pyesje dikë në Shqipëri për një politikan pas hekurave, do të kishin qeshur.

“Reforma në drejtësi kaloi në fazën e zbatimit. Këto vite kanë qenë shumë sfiduese. Shkatërruam pallatin e vjetër të drejtësisë së korruptuar. Nëse do të kishit pyetur më përpara dikë në Shqipëri për të parë një politikan pas hekurave, do të kishin qeshur me ju. Askush nuk është imun para drejtësisë. Si kurrë më parë, një gjyqësor vërtetë i pavarur dhe drejtësia e vërtetë tani janë të mundshme. Qëndroj si lideri që nuk kam mbrojtur askënd nga shigjeta e drejtësisë dhe nuk kam përdorur shigjetën për të ndryshuar drejtësinë në favor të dikujt. Kjo nuk ka ndodhur kurrë. Shumë hije të së shkuarës vazhdojnë, kjo është arsyeja pse ne jemi këtu. Ne do të vazhdojmë të investojmë në ndërlidhjen kombëtare dhe rajonale. Nga ana tjetër duam të bëhemi kampionë rajonalë të epokës digjitale. Teksa flasim, po luftojmë kundrejt një sulmi masiv kibernetik ndaj një vendi armiqësor ndaj BE dhe ndaj nesh gjithashtu, por sistemi ynë po reziston duke sjellë shërbimet tona digjitale në orët vijues”.

Rama më tej shtoi se zemrat e njerëzve tash janë të mbushura me lumtur, madje tha se asnjëherë s’do ta kishte menduar se do të gjente lumturi brenda ndërtesës ku po mbahej konferenca.

“Sot unë jam i lumtur, zemrat e njerëzve që përfaqësoj janë të mbushur me lumturi, asnjëherë nuk mendoja të gjeja lumturi në këtë ndërtesë, janë të mbushura me vendosmëri të re për të vazhduar rrokullisjen e gurëve të BE dhe të mbushura me shpresë miti dhe politika do copëtohen. Se një ditë do kemi sukses të arrijmë majën e malit dhe mos jemi të detyruar të rrokullisemi mbrapa. Ai vend në majë të malit quhet shtëpi dhe është vendi që ne i përkasim gjithmonë, në familjen evropiane”, tha Rama.

 

 

Të ngjashme