Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ftuar të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo veprim të paligjshëm të punonjësve të shtetit, ndërsa bën të ditur se po punohet për ta pasur gati bashkë me qeverinë e re edhe platformën online të bashkëqeverisjes.
Duke marrë shkas nga një rast i denoncuar një ditë më parë drejtpërdrejt tek ai, ku përmes një video shfaqen tre punonjës të strukturave të Hetimit Tatimor, të përfshirë në një akt korruptiv gjatë inspektimit në një subjekt në zonën e Spillesë në Kavajë, Rama tha se “i madh e i vogël të ngremë krye ndaj fenomenit të korrupsionit”.
“Dje më dërgoi një mesazh një zonjë e torturuar nga këta grabitqarë! Asnjë fjalë tjetër nuk i përcakton dot besnikërisht këta “hetues tatimorë”! Këta janë armiku publik nr.1 i popullit shqiptar sot dhe i madh e i vogël, duhet të ngremë krye kudo dhe kurdo na dalin përpara”, shkruan Kryeministri Rama në rrjetin social Facebook.
Sipas kryeministrit Rama hetuesit tatimor për herë të dytë kishin vendosur biznesit një gjobë të paligjshme.
“I kishin mësyrë në lokal dhe i kishin kërcitur, për herë të dytë, gjobën e paligjshme të rrugaçërisë së tyre. E cila kishte qenë edhe më e kripur se e para. Pas një ngurrimi paraprak në bisedën që patëm, zonja pranoi që t’ia tregonte zyrtarisht Policisë së Shtetit përvojën e saj të hidhur dhe tanimë grabitqarët janë aty ku e kanë vendin”, vijon Rama.
Kryeministri deklaron se vendi duhet të shpëtojë një herë e mirë nga punonjës të tillë që njollosin administratën dhe turpërojnë shtetin shqiptar.
“Nuk do të lodhem së përsërituri shprehjen e bindjes time se ky vend jo vetëm duhet, po mund të shpëtojë njëherë e mirë, nga ky soj i ulët grabitqarësh të paguar me taksat tona, që torturojnë viktima të pafajshme, njollosin gjithë punonjësit e administratës dhe turpërojnë shtetin shqiptar. Kjo bëhet duke ndërtuar koalicionin e madh të bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm, si një domosdoshmëri jetike për shoqërinë sot dhe për Shqipërinë që duam nesër”, shkruan Rama.
Më tej, kryeministri informoi se po punohet pa pushim për ta pasur gati bashkë me qeverinë e re edhe Platformën online të Bashkëqeverisjes, e për ta filluar ushtrimin e mandatit me çeljen njëkohësisht të regjistrimeve të anëtarëve të koalicionit nga e gjithë Shqipëria, pa dallim bindjesh politike.
Barku i madh shkakton osteoporozën edhe tek meshkujt
Njëqind vjet më parë u ndërtua autostrada e parë në botë, a ...
Apple do ta mbajë kamerën telefoto periskop ekskluzivisht pë...
Rrëzimi i avionit në Lituani ngre dyshime se mund të jetë i ...
Ismajli vazhdon paraqitjet e jashtëzakonshme në Serie A
“M’ka pshtu nga goja”, Edi bëhet pishman për ofendimet ndaj ...