Google ADS

Rama hedh gjobat milionere në fushëbetejën kundër koronavirusit

00:18 | 16 Mars 2020
Trina Galanxhi

Në një akt normativ me fuqinë e ligjit, qeveria shqiptare parashikon gjoba deri në 10 milionë lekë (83 mijë euro), për një larmishmëri shkeljesh, përfshirë ndalimin e tubimeve politike apo aktiviteteve të tjera shoqërore, sportive ose kulturore. Kryeministri Edi Rama pretendon se këto masa janë të justifikuara në emër të “luftës” kundër përhapjes së koronavirusit.

Qeveria shqiptare ndërmori një akt normativ në kushtet e emergjencës duke ndaluar takimet shoqërore, kulturore apo politike, si në hapësira të mbyllura ashtu edhe në sheshe publike ndërsa akti kërcënon organizatorët e takimeve të tilla me gjoba deri në 5 milionë lekë (40 mijë euro).

“Subjektet apo individët që organizojnë zhvillimin e aktiviteteve publike dhe jopublike, si aktivitete sportive, kulturore apo konferenca, apo grumbullimet masive në vende të mbyllura apo të hapura, si koncerte, tubime dhe dëgjesa publike, dënohen me gjobë në masën 5 milionë lekë për organizatorët dhe ndalimin e aktivitetit,” shkruhet në aktin normativ që u botua të dielën në Fletoren Zyrtare. [Link]

Stacionet televizive nuk lejohen të kenë më shumë se dy persona në të njëjtën studio, sipas aktit dhe do të gjobiten për 1 milionë lekë (8,300 euro) nëse e shkelin atë. Akti Normativ nuk bën të ditur nëse në këtë llogari (dy persona), përfshihen vetëm folësit apo edhe kameramanët.

Akti normativ kërcënon gjithashtu me gjoba subjektet tregtare që rrisin çmimet për të përfituar nga kriza ndërsa detyron spitalet private të vënë në dispozicion kapacitetet e tyre për sistemin shëndetësor publik për të përballuar krizën. Subjektet farmaceutike apo ushqimore që shërbejnë jashtë kushteve distancës së sigurisë kundër përhapjes së infeksionit, do të gjobiten me 10 milionë lekë (83 mijë euro).

Të gjitha gjobat do të vendosen nga Policia e Shtetit ndërsa gjobat përbëjnë titull ekzekutiv dhe zbatohen menjëherë pavarësisht nëse subjekti i gjobës zgjedh të sfidojë këtë akt normativ në gjykatë. Gjykatat administrative janë në mënyrë famëkeqe të ngadalta në Shqipëri dhe mund të kërkohen shumë vite për të luftuar një akt administrativ të padrejtë.

Kryeministri Edi Rama, i cili ka shprehur prej vitesh parapëlqimin e tij për gjoba në shifra marramendëse edhe jashtë kushteve të emergjencës, iu përgjigj kritikave të pritshme kundër këtij akti normativ duke pretenduar se janë të nevojshme për të mbrojtur popullsinë në një situatë që ai e quan “luftë”.

“Kujt ankohet për gjobat e rënda të Aktit Normativ i them se gjobat nuk janë për popullin, por për shkelësit e rregullave të kësaj lufte dhe nuk janë për të mbledhur shteti para, por për të mbrojtur popullin nga shkeljet që në këtë situatë lufte kërcënojnë shëndetin e tij”, deklaroi ai.

Akti Normativ është një lloj ligji në kushtet e emergjencës që miratohet nga qeveria dhe hyn në fuqi menjëherë para se të fillojë procedura e shqyrtimit parlamentar. Emergjenca mjekësore COVID-19 mbërriti Shqipërinë në një kohë kur vendi sakaq ishte teknikisht në gjendje të jashtëzakonshme. Një akt normativ i mëparshëm i qeverisë, i miratuar në parlamentin e kontrolluar nga socialistët, e shpallte Shqipërinë në gjendje të jashtëzakonshme deri më 31 Mars për shkak të tërmetit të 26 Nëntorit 2019. Sipas qeverisë, kjo gjendje e jashtëzakonshme nevojitej të vijonte për shkak se “tërmetet vazhdojnë”.

Deri të Dielën Shqipëria kishte 42 raste të COVID-19 dhe një të vdekur. Shtatëmbëdhjetë persona po trajtohen në spital ndërsa tre prej tyre janë nën kujdes intensiv. Pjesa tjetër, përfshirë tre mjekë që u infektuan ndërsa kujdeseshin për pacientët që mjekonin, janë duke qëndruar të vetëizoluar në shtëpi. Reporter.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme