Google ADS

Rama fton biznesin holandez në Shqipëri

17:13 | 5 Korrik 2022
E.H

I vetëdijshëm që vendi ynë është një treg i vogël për investitorët e mëdhenj, Kryeministri Rama në një takim me sipërmarrës holandezë në Amsterdam ju kërkon që ta vlerësojnë mundësinë e investimit pasi Open Balkan ka lehtësuar jo vetëm lëvizjen e mallrave dhe kapitaleve por dhe ka rritur dhe tregun rajonal.

“Çka po bëjmë përmes Ballkanit të Hapur është pikërisht kjo, po e zgjerojmë tregun dhe po sigurojmë një transport tërësisht pa pengesa në këtë treg që shkon përtej 3 milionëve që jemi ne dhe që shtrihet për të mbërritur tek gati 20 milionë njerëz”.

Investimet në infrastrukturë, një prej të cilave Porti i ri në Porto Romano, projekti që po realizohet nga studio holandeze, Rama dhe ministrja Balluku sigurojnë janë një arsye me shumë pse investitorët e huaj duhet të kthejnë sytë nga Shqipëria.

“Porti do t’i ndryshojë gjërat, aeroportet e reja do të ndryshojnë gjërat, pra do të vazhdojnë të ndryshojnë gjërat”.

Vetë investitorët e pranishëm shqetësohen për stabilitetin politik, por Rama ju sjell një shembull të freskët nga Amsterdami për t’ju shpjeguar se situata politike në vend është normale.

“Kemi ndonjëherë protesta në 2000 metërshin katror të sheshit përballë zyrës së kryeministrit sepse jemi një vend ku të gjithë janë kryeministra më vete Unë mendoj që ajo çka po kaloni me fermerët ju sot për sot, në Shqipëri do quhej dhunë brutale kështu që nuk ka asgjë për tu shqetësuar për stabilitetin politik”.

Pranon se ka ende probleme me korrupsionin por rreshton një sërë masash të ndërmarra për përmirësimin e klimës së biznesit, si dixhitalizimin e shërbimeve por dhe Reformën në Drejtësi. Për këtë të fundit pranon se sfida tanimë është mbushja e vendeve vakante në gjyqësor.

“60% e vendeve bosh nuk është e lehtë për t’i zëvendësuar jo vetëm me gjyqtarë me integritet, por duhen edhe me kapacitet profesional”.

Rama është i bindur se perceptimi për Shqipërinë është shumë ndryshe nga realiteti. Për t’i ardhur Kryeministrit në ndihmë, menaxheri i Shellit që prej disa vitesh punon në vendin tonë, ndau eksperiencën e tij shqiptare.

“Një gjë që mund të rekomandoj, kjo është edhe nga puna ime atje, është të jeni kureshtare. Jini kureshtarë për Shqipërinë, shkoni atje, është vetëm dy orë e gjysmë me avion dhe përjetoni atë çfarë mund të shihni”.

Vitet e fundit investimet holandeze në Shqipëri kanë njohur një tendencë rritëse, që përfaqësohen me kompani të rëndësishme si në sektorin e hidrokarbureve me Shell. Sipas të dhënave të vitit të shkuar 22 përqind e investimeve të huaja janë holandeze./Tv Klan/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme