Google ADS

Rama: E ardhmja e Shqipërisë, varet nga e ardhmja e Europës

14:03 | 13 Gusht 2023
E.H

Në një intervistë të gjatë për të përditshmen italiane “Libero”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur jo vetëm mbi bumin turistik, por edhe për Shqipërinë e së ardhmes. Fati i Shqipërisë sipas tij lidhet me reagimin e Europës ndaj fuqive të reja që po sfidojnë rendin e vjetër botëror.

“E ardhmja e Shqipërisë do të varet shumë nga e ardhmja e Europës, e cila po plaket gjithnjë e më shumë. Nëse Europa nuk arrin t’u bëjë derman goditjeve marramendëse të një bote që po ndryshon me një shpejtësi të frikshme, ku fuqi të reja po sfidojnë rendin e vjetër botëror, atëherë Shqipëria e vogël nuk do të mund të arrinte atje ku unë jam i sigurt se do të arrijë! Jo vetëm me energjinë dhe turizmin, por edhe me teknologjinë, bujqësinë, kulturën dhe shumë të tjera.”

Këtë intervistë, Rama e shoqëron në rrjetet sociale me një mendim personal, ku vlerëson se Shqipëria është transformuar, nga një vend që tregohej me gisht si vend i zymtë trafiqesh e kriminaliteti, tanimë është kthyer si destinacioni kryesor i europianëve për turizëm.

“Lavdi Zotit dhe falë punës këmbëngulëse të nisur nga bishti i kavallit të Europës, kur askush nuk na kishte në hesap përveçse për të na treguar me gisht, me vend e pavend, si një vend i zymtë trafiqesh e kriminaliteti, sot ky interesim nuk lidhet më me anën tragjike, po me një anë të bukur të jetës, kënaqësinë që Shqipëria e Rilindur Turistike u ofron pushuesve nga e tërë Europa, ku italianët janë ndër më të ekzaltuarit dhe po dynden mbi brigjet tona në numra që po t’i parathoshe vetëm disa vjet më parë do të të merrnin për të çmendur.”

Ai e sheh Shqipërinë si një vend që pas shekujsh të jetuar në gjunjë filloi të vraponte duke thyer kockat e tij, për ta rishpikur dhe aftësuar vetveten për të qëndruar drejt.

Në intervistën e tij flet edhe për politikat e emigracionit në Itali, ku ka vlerësuar punën e kryeministres Giorgia Meloni, duke e krahasuar si një trashëgimtare e një tigri, jo e të një rinoceronti politik. Sakaq Rama qëndrimin e Europës për emigracionin e cilëson të trishtë, pasi për çështjen në fjalë Italia “nuk ka nevojë për leksione për mënyrën si i duhet të veprojë”, por për ndihmë dhe solidaritet./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme