Rama: BE nuk do të paguaj asnjë cent për të hapur negociatat

10:29 | 11 Maj 2018
A. B.

Në një intervistë mëngjesin e të enjtes për BBC Today kryeministri Edi Rama tha se Bashkimi Europian nuk do të paguajë asnjë cent për të hapur negociatat.

“Anëtarësimi në BE i Shqipërisë, përfaqëson mbrojtjen e vetes nga fantazmat e të shkuarës, duke garantuar që nuk do të përballemi sërish në të ardhmen me atë që u përballëm në të shkuarën e afërt. Ne po kërkojmë hapjen e negociatave, të cilat nuk kanë asnjë kosto për BE-në, por janë jetike për ne. Tani për tani, ne po kërkojmë vetëm atë që kemi arritur me reformat dhe përpjekjet tona: hapjen e negociatave. Anëtarësimi për ne dhe për vendet e tjera të rajonit do të ndodhin më vonë, jo sot”, tha Rama.

Ai është pyetur edhe për bandat shqiptare në Britani për të cilat tha se “kam dëgjuar shumë nga këto teori gjatë fushatës së “Brexit”, por siç të dhënat zyrtare flasin qartë, shumë prej tyre janë vetëm ekzagjerime për qëllime të caktuara politike”.

“Unë nuk po e mohoj këtë problem, por e kemi dëgjuar këtë lloj etiketimi edhe më parë në histori. Një herë e një kohë, italianët në Amerikë shiheshin vetëm si picierë dhe mafiozë, por e vërteta ishte shumë më komplekse. Nuk duhet të harrojmë që krimi i organizuar nuk është një fenomen kombëtar, i kufizuar brenda kufijve shtetërore. Është një fenomen mbarëkombëtar. Kriminelët kanë Bashkimin e tyre Europian, kjo është arsyeja përse Bashkimi ynë Europian duhet të jetë sa më i fortë dhe i ndërlidhur që të jetë e mundur, për të luftuar në mënyrë të suksesshme kundër krimit”, nënvizoi Rama për BBC.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme