Rama: ‘Ballkani i Hapur’ është një njësi e zbatimit të ‘Procesit të Berlinit’

10:36 | 11 Qershor 2022
L G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se ‘Procesi i Berlinit’ dhe ‘Ballkani i Hapur’ nuk janë dy nisma konkurruese ndaj njëra-tjetrës, por dy nisma komplementare.

Rama tha se Procesi i Berlinit, i cili do të rinisë me ardhjen në krye të Kancelarisë në Gjermani, Olaf Scholz, është një nisëm në nivel parimor për të vendosur piketat dhe objektivat lidhur me vendet e rajonit të Ballkanit, ndërsa nisma ‘Ballkani i Hapur’ është njësia e saj e zbatimit, duke i bërë marrëveshjet të prekshme për njerëzit.

“Natyrisht që rimarrja e Procesit të Berlinit pas ndryshimit në kancelari dhe riangazhimi i Kancelarisë dhe personalisht i kancelarit gjerman për Procesin e Berlinit është një lajm i mirë. Procesi i Berlinit është një le të themi, vijë sjelljeje e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe është një hapësirë ku janë vendosur si të thuash ato piketa të cilat janë objektiva konkretë dhe nxitje për punë konkrete në Ballkanin e Hapur. Pra, Procesi i Berlinit dhe Ballkani i Hapur jo vetëm që nuk janë dy nisma kundërshtuese, nuk janë as dy nisma konkurruese, po janë dy nisma komplementare ku njëra është në një nivel parimor, tjetra është në nivel konkret. Ballkani i Hapur është një njësi e zbatimit të Procesit të Berlinit”, ka thënë Rama në një intervistë për TVSH nga ‘Darka e Selanikut’ në Greqi, ku e pranishme ishte edhe presidentja Vjosa Osmani.

Rama foli edhe për integrimin në BE të Shqipërisë dhe bllokimin e këtij procesi si pasojë e vetos së Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, ku tha se këto janë çështje të komplikuara që lidhen me politikën e tyre të brendshme. /rtsh.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme