Kryeministri Edi Rama falenderoi këtë të diel ambasadoren amerikane Yuri Kim, e cila sipas tij, i ka dhënë një cilësi të re marrëdhënieve mes dy shteteve tona. Sipas Ramës, Kim është përfshirë në mbështetje të kërkesave dhe nevojave të vendit tonë sa i përket mbrojtjes, por edhe drejtësisë.
Kreu i qeverisë foli nga sheshi “Nënë Tereza” aty ku është organizuar një “ekspozitë” e stërvitjes ushtarake “Defender Europe 21”. Rama tha se vizioni i qeverisë dhe përfaqësisë amerikane është tashmë krijimi në vendin tonë i një kapaciteti të ri akademik që do të rrisë burimet njerëzore tek forcat e armatosura.
“Është një nder i veçantë dhe një privilegj për mua që sot, në emër të qeverisë së Republikës së Shqipërisë t’ju shpreh mirënjohjen të gjithë ushtarakëve të përfshirë në këtë stërvitje kaq domethënëse për nga përmasat dhe për nga mesazhi i saj. Njëkohësisht dëshiroj që përveç e përtej mirënjohjes për të gjithë djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë nën uniformë që janë përfshirë në këtë stërvitje e që në të njëjtën kohë përbëjnë edhe garancinë dhe sigurinë e përditshme për shqiptarët dhe për Shqipërinë me përkushtimin e me sakrificat e tyre, t’ju shpreh mirënjohjen edhe familjeve të tyre. Familjeve që sakrifikojnë çdo ditë e që janë të parët, të cilat preken nga emocionet, jo të vogla dhe jo të rralla, të përfshirjes së pjesëtarëve të tyre në Forcat e Armatosura për të cilat jo çdo ditë është e qetë e jo çdo kohë është e sigurt. Po sot dua t’i falënderoj me mirënjohje të gjithë ushtarakët e përfshirë në këtë stërvitje kaq domethënëse nga Shtetet e Bashkuara e nga të gjitha vendet e tjera. Dua t’i bëj një falënderim të posaçëm përfaqësueses së qeverisë së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, ambasadores Yuri Kim, e cila me përkushtimin e saj mbresëlënës i ka dhënë një cilësi të re marrëdhënieve mes të dy shteteve, duke u përfshirë në vetë të parë në mbështetjen e kërkesave e të nevojave të vendit tonë, qoftë në drejtimin e forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve tona të mbrojtjes, qoftë në forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve tona të drejtësisë. Patjetër që besimi që SHBA-të kanë treguar në vijim tek ky partneritet dhe tek kjo aleancë e madhe strategjike me Shqipërinë e vogël kulmon me këtë stërvitje ushtarake, “Defender Europe 21”, e cila jo rastësisht është stërvitja më e madhe, me përfshirjen më domethënëse që ka ndodhur ndonjëherë në historinë e rajonit tonë. Unë dua të nënvizoj edhe faktin që në ndërkohë, edhe vetë kjo shfaqje e bukur apo ekspozitë, siç e quajti ministri i Mbrojtjes, për t’u dhënë mundësi qytetarëve që të vijnë e të vizitojnë nga afër gjithë këtë arsenal, nuk do të ishte e tillë sot, nëse nuk do të kishte qenë në vijimësi mbështetja konkrete e qeverisë së SHBA-ve, për rritjen e vazhdueshme e të qëndrueshme të kapaciteteve të ushtrisë shqiptare, sa në aspektin e rritjes cilësore të burimeve tona njerëzore, aq dhe në aspektin e modernizimit të Forcave tona të Armatosura me mjete dhe logjistikë të fjalës së fundit. Nga ana tjetër, unë kam shumë besim dhe bazuar në bisedat me gjeneralët që na nderuan me praninë e tyre me hapjen e kësaj stërvitjeje, por dhe me bashkëbisedimin e vazhdueshëm me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara se ne do të mund të hedhim hapa të tjerë kuptimplotë në rritjen e cilësisë së burimeve njerëzore të Forcave tona të Armatosura, duke krijuar kështu një hapësirë shumë më tërheqëse edhe për ta materializuar atë thirrje që bëri ministri i Mbrojtjes për të rinjtë, të cilët gjithnjë e më shumë do ta shohin adresën e forcave të Armatosura si një mundësi të artë për formimin dhe për jetën e tyre pas shkollimit. Krijimi në Shqipëri i një kapaciteti të ri akademik në funksion të rritjes së kapaciteteve njerëzore të Forcave tona të Armatosura, në partneritet me SHBA-të, është objektiv dhe misioni i përbashkët i qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe i përfaqësisë së Shteteve të Bashkuara këtu në Shqipëri. Unë jam shumë falënderues dhe mirënjohës për të gjithë sa janë përfshirë në këtë proces të jashtëzakonshëm, aspak të lehtë, transformimi të Forcave tona të Armatosura e me bindjen e plotë që kjo stërvitje nuk mbaron në aspektin e influencës së saj mbi Forcat tona të Armatosura me mbarimin e saj në afatin e përcaktuar, por do të vazhdojë të influencojë moralisht dhe psikologjikisht të gjithë ushtarakët tanë. Uroj që miqësia e madhe mes Shqipërisë dhe Shtetet e Bashkuara të jetë e përjetshme e ashtu siç tha ambasadorja, ne të vazhdojmë të jemi krah për krah sot, nesër e gjithmonë”, tha Rama./ tv klan/
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...