Google ADS

Rama: 2024, vit kyç për integrimin e Shqipërisë dhe rritjen e vlerësimeve ndërkombëtare

11:33 | 30 Dhjetor 2024
E.G

Në konferencën e fundvitit me gazetarët, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka theksuar arritjet më të rëndësishme për Shqipërinë gjatë vitit 2024, duke e vlerësuar këtë vit si një moment kyç për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Rama theksoi hapjen e negociatave për anëtarësim me BE-në për dy kapituj të rëndësishëm, duke vlerësuar këtë si një progres të jashtëzakonshëm në rrugën e Shqipërisë drejt familjes europiane.

Kryeministri theksoi se ky proces i jashtëzakonshëm nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin dhe angazhimin e administratës shqiptare.

“Fakti më domethënës për 2024 është çelja e negociatave për anëtarësi me BE për dy grup-kapitujve e rëndësishëm nga themeloret dhe pastaj edhe ajo e marrëdhënieve me jashtë. Është me rëndi të theksoj që ky proces i jashtëzakonshëm nga volumi i punës do ishte i pamundur nëse një skuadër e madhe kombëtare e Shqipërisë nuk do kishin bërë më parë punën e shkëlqyer me procesin Screening. Një administratë që padiskutim as nuk përfaqësohet dhe as nuk interpretohet me rastet e atyre punonjësve që për një arsye apo një tjetër nuk e nderojnë administratën tonë dhe bëhen objekt i ekspozimeve të sjelljeve dhe veprimeve të tyre të padenja nga mediat qoftë edhe i drejtësisë”, tha Rama.

Po ashtu, Rama foli për daljen e Shqipërisë nga faza e monitorimit të plotë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës pas 29 vitesh, duke theksuar se Shqipëria tashmë është në rrugën e integrimit me të gjitha vendet që synojnë anëtarësimin në BE gjatë kësaj dekade.

Një tjetër arritje e rëndësishme që Kryeministri theksoi ishte ndikimi i Shqipërisë në rajon dhe bashkëpunimi me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor për të siguruar një plan të ri rritjeje për BE-në, që do të sjellë rreth 1 miliardë euro investime për Shqipërinë deri në vitin 2027.

“Shqipëria ka dalë pas 29 vitesh nga faza e monitorimit të plotë të Asamblesë Parlamentare të KiE. Nuk jemi më një vend nën monitorim të plotë, por jemi njësoj si të gjitha ato vende që do të bashkohemi në familjen europiane brenda kësaj dekade. Shqipëria është bërë nxitësi dhe ia ka dalë të shtyjë dhe të bëjë të mundur duke hyrë në bashkëpunim edhe me vende të tjera të rajonit, jo vetëm një dialog të pa ndodhur më parë mes KE dhe vendeve kandidate, nga ku doli si rezultat konkret plani i ri i rritjes të BE në mbështesje të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne kemi një instrument të ri financiar në planin e rritjes ku nga sot deri në 2027 do të thithim rreth 1 miliardë euro plus dhe kemi njëkohësish dritën jeshile për t’iu bashkuar familjes europiane në disa segmente të BE. Fakti është se plani i ri i rritjes që nga 21 nëntori, shqiptarët që bëjnë transferta parash nga zona e BE drejt Shqipërisë nuk do të kenë më asnjë komision ekstra për transferuat e tyre pas Shqipëria është zyrtarisht pjesë e SEPA duke kursyer me miliona euro nga xhepat e dërguesve”, u shpreh kryeministri.

Po ashtu, Rama u ndal edhe në arritjen e një marrëveshjeje të rëndësishme për transferimet e parave, duke bërë të mundur që shqiptarët që dërgojnë para nga zonat e BE-së të mos paguajnë më komisione ekstra, pas integrimit të Shqipërisë në sistemin SEPA.

Kryeministri theksoi se Shqipëria do të presë samitin e Komunitetit Politik Europian më 16 maj 2024, dhe se është angazhuar për organizimin e samitit të NATO-s në vitin 2027, një ngjarje që do të shënojë një tjetër moment historik për vendin. Rama shtoi se Shqipëria është sot një vend që respektohet dhe vlerësohet nga të gjithë.

“Janë organizuar në Shqipëri një sërë samitesh të pamendueshme disa vite më parë dhe vitin e ardhëm më 16 maj do të presim samitin e Komunitetit Politik Europian ku do kemi udhëheqësit e Europës përtej kufijve të BE-së. Shqipëria është sot një vend ku të gjithë shohim me sytë e respektit dhe të gjithë kanë vlerësime që na bëjnë krenar dhe motivim për të vazhduar më tutje. Akoma më e pakëndueshme është mikpritja në Tiranë e samitit të NATO-s në 2027, gjë për të cilën ne kemi nisur punën së bashku me NATO-n”, tha Rama.

/rtsh.al/

Të ngjashme