Qosja: Ramën do doja ta shihja më pak në TV dhe të mos futet në çështje shkencore kur s’është i përgatitur

09:17 | 14 Shkurt 2017
Arbresh.info

“Me gjithë këtë përkrahje që unë i kam dhënë dhe i jap Edi Ramës në përpjekjet e tij për reformimin e përgjithshëm të Shqipërisë, jo vetëm të drejtësisë, por të të gjitha fushave të tjera, nuk do doja t’i shihja disa veprime dhe mendime të Edi Ramës. Fjala vjen, do të doja ta shihja më pak në televizion.”

Kështu është shprehur akademiku Rexhep Qosja në një intervistë për gazetaren “Rudina Xhunga” në emisionin Dritare, i pyetur në veçanti për kryeministrin Edi Rama.

“Televizioni për një farë kohë i afirmon njerëzit, – tha Qosja, – por televizioni edhe mund t’i dëmtojë, mund t’i shkatërrojë njerëzit në qoftë se e teprojnë. Pra do masë dhe masa është formuluar në Greqinë antike prej Platonit e Aristotelit, masa është përbërës i veprës shkencore, i veprës artistike, i etikës, i sjelljes së njerëzve, i organizimit të tyre politik, shtetëror.

Masa është shumë e rëndësishme, kërkon një masë dhe do doja që Edi Rama ta ketë këtë masë në paraqitjet e tij publike dhe të mos paraqitet në vendet e të gjithë ministrave të tij, por të paraqiten vetë ministrat për një varg çështjesh dhe jo Kryeministri i Shqipërisë, jo kryetari i Shqipërisë, por ministrat pasi janë fushat e tyre dhe dëgjohen me po aq interesim apo kur paraqiten rrallë dëgjohen edhe me më shumë interesim sesa këta kryesorët.

E dyta, do të doja që disa çështje që po i trajton, për shembull, çështjen e këmbimit të territoreve, do doja që për disa çështje, që i quajmë shkencore, për të cilat ai flet, të përgatitet. Në botën demokratike figurat shtetërore, politike të larta nuk merren me historinë ndërsa këtu të gjithë po merren me historinë e letërsisë. Ata nuk janë ekspertë, nuk e njohin historinë e letërsisë, por prapë merren me të, i vlerësojnë shkrimtarët, i japin nota vlerësuese, i shpallin të mëdhenj e kolosë, por ata nuk janë për atë fushë, nuk janë të përgatitur. Kjo gjë ndodhte në komunizëm, Stalini i bënte autoritete të përjetshme krijuesit e ndryshëm, por në demokraci nuk e di a mund të dëgjohet ndonjë shtetar evropian apo amerikan të bëjë vlerësime të tilla për krijuesit, shkrimtarët, kompozitorët, aktorët, regjisorët, piktorët, skulptorët, pra do doja që Edi Rama të mos futej aq lehtë në vlerësime të tilla shkencore sepse nuk është i fushës, nuk është i përgatitur dhe dëgjuesit mund të mendojnë se arsyet nuk janë shkencore, por të tjera, politike. E treta, nuk do të doja që Kryeministri i Shqipërisë të futej në çështje fetare, jo. Shqipëria dhe Kosova janë shtete laike, feja është e ndarë prej shtetit.”

PJESE NGA INTERVISTA

Para pak ditësh në një intervistë të përbashkët mes Presidentit Thaçi dhe Kryeministri Rama u fol për lufte dhe paqe. A shikoni ju profesor luftë gjëkundi?

Qosja: Jo. Për problemet për të cilat fola dhe sot nuk shoh luftë. Dikush e dramatizon këtë punë për të mbuluar çështje të tjera, por nuk më duket se ka mundësi për luftë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë më kot në Bondstill, ata nuk kanë ndikuar vendosmërisht përkrahjen e ushtrisë sonë çlirimtare për çlirimin e Kosovës, nuk kanë ndikuar vendosmërisht që të bëhet Kosova e lirë dhe e pavarur dhe nuk do të lejojnë që të bëhet luftë tani, në asnjë mënyrë, madje as Bashkimi Evropian sepse nuk është në interesin e tyre, por flasin të tjerë për këtë luftë për të mbuluar disa të këqija të tjera dhe për të krijuar disa tensione që dikujt i konvenojnë.

Pra më shumë se tek Kryeministri Rama apo Presidenti kosovar Thaçi, ju besoni te presidenti Trump.

Qosja: Unë besoj tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E kam thënë dhe e përsëris, Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një shtet i madh me sipërfaqe, me numër të popullsisë, me zhvillim ekonomik, me fuqi ushtarake dhe me fuqi politike në botë dhe e quaj të ligjshëm, të natyrshëm, të domosdoshëm interesimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për situatën globale, planetare në përgjithësi. Shtet i përbërë prej të gjitha racave, kombeve, feve ka një të drejtë morale, politike, etnike të interesohet dhe pa të do të ndodhte kaos në planet, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ato janë fuqia që krijojnë një ekuilibër në këtë planet. Unë kam besim tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës që në Kosovë nuk mund të ndodhin tragjedi siç ka ndodhur.

Zgjedhjet nuk i fitoi Hilari Klinton, një emër i rëndësishëm për shqiptarët, por Donald Trump. Për ju, Amerika do i trajtojë shqiptarët ndryshe, tani?

Qosja: Tani Donald Trump i fitoi zgjedhjet, është kryetar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ka paraqitur disa mendime që një numri njerëzish nuk i kanë pëlqyer, ka disa pikëpamje, disa koncepte që sjellin shumë ndryshime në politikën amerikane dhe ato ndryshime kanë shkaktuar disa shqetësime edhe në Bashkimin Evropian, edhe në Kinë, Meksikë dhe vende të tjera, megjithatë ne duhet të presim e të shohim se si do të realizohet ajo politikë e kryetarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe ekipit të tij, por unë besoj dhe u tha, e tha Ministri i Mbrojtjes, Pentagonit se politika ndaj shqiptarëve, Kosovës, Shqipërisë, shqiptarëve nuk ndryshon, do të mbetet e njëjta politikë e përkrahjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Tani nuk jemi ne ata që iu jemi pjekur nën dardhë dhe do bëjnë çdo gjë për ne vetëm pse ne jemi ne, se ne jemi më të mirët në botë, jo, janë edhe disa interesa të tyre gjeostrategjike. Për fatin tonë, interesat tona kombëtare dhe interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë përputhur dhe Amerika e sheh se shqiptarët janë aleati i tyre i sinqertë, i natyrshëm, i kuptueshëm, i domosdoshëm.

Besoj ju e keni ndjekur në media që flasin shumë pas zgjedhjes së Presidentit Trump për mënyrën sesi është shprehur Kryeministri Rama për të?

Qosja: Është e drejtë e çdo qytetari, intelektuali, politikani, çdo njeriu në pozitë politike, partiake, shtetërore të shfaqë mendime për politika dhe politikanë të ndryshëm. Mund të jetë se këto mendime duhet të jenë më të përmbajtura kur janë zgjedhjet, për ata që marrin pjesë në zgjedhje. Ndoshta gjatë fushatave nuk do të duhet të jepen mendime pasi paraqet animet e tua për një kandidat ose tjetrin, për mendimin tim do të duhet të jesh më i përmbajtur. Mund të jetë se Kryeministri i Shqipërisë do të kishte vepruar më mirë po të kishte qenë më i përmbajtur, mos të kishte deklaruar për këtë apo atë kandidat gjatë fushatës, por kjo nuk do të thotë se nuk është e pranueshme, e lejueshme që pas fushatës të shprehësh mendimin përkrahës apo mendimin keqardhës pse kandidati tjetër nuk ka fituar apo jo?! Unë nuk mendoj se kjo deklaratë e atëhershme e Kryeministrit të Shqipërisë mund të ketë pasoja, për Shqipërinë jo që jo, por as për vet Kryeministrin e Shqipërisë, nuk mendoj se do të ketë pasoja, mendoj unë. Nuk dëshiroj të ketë pasoja, por as nuk mendoj se do të ketë pasoja.

Sepse juve ju pëlqen Edi Rama dhe asgjë nuk ka ndryshuar për mënyrën sesi ju e shikoni Kryeministrin e Shqipërisë.

Qosja: Mendoj se Edi Rama, madje e kam shkruar, kur ishte në Beograd dhe ku u shpreh, u paraqit, u organizua një fushatë e vogël kundër tij dhe unë shpreha disa mendime për te. Ai është një politikan, shtetar dhe intelektual njëkohësisht, ai, për mua, është i rëndësishëm në radhë të parë sepse ka filluar ta reformojë Shqipërinë, ta bëjë një shtet bashkëkohor dhe ta evropianizojë. Shqipëria ishte si ishte, mes një autarkie dhe një anarkie, e tillë ishte Shqipëria. Edi Rama dëshiron ta reformojë Shqipërinë, ta modernizojë dhe kjo nuk është pak, por është shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe Kosovën. Reforma që bëhet në drejtësi është me rëndësi ekzistenciale, jo vetëm politike, jo vetëm për statusin ndërkombëtar të Shqipërisë, por me rëndësi ekzistenciale për vetë popullin shqiptar, është një reformë që premton mënjanimin, ndaljen, pengimin, frenimin e shumë të këqijave në jetën e popullit shqiptar në Shqipëri, e mendoj se prej kësaj reforme do mësojmë edhe ne në Kosovë.

Megjithatë, me gjithë këtë përkrahje që unë i kam dhënë dhe i jap Edi Ramës në përpjekjet e tij për reformimin e përgjithshëm të Shqipërisë, jo vetëm të drejtësisë, por të të gjitha fushave të tjera, nuk do doja t’i shihja disa veprime dhe mendime të Edi Ramës. Fjala vjen, do të doja ta shihja më pak në televizion. Televizioni për një farë kohë i afirmon njerëzit, por televizioni edhe mund t’i dëmtojë, mund t’i shkatërrojë njerëzit në qoftë se e teprojnë. Pra do masë dhe masa është formuluar në Greqinë antike prej Platonit e Aristotelit, masa është përbërës i veprës shkencore, i veprës artistike, i etikës, i sjelljes së njerëzve, i organizimit të tyre politik, shtetëror.

Masa është shumë e rëndësishme, kërkon një masë dhe do doja që Edi Rama ta ketë këtë masë në paraqitjet e tij publike dhe të mos paraqitet në vendet e të gjithë ministrave të tij, por të paraqiten vetë ministrat për një varg çështjesh dhe jo Kryeministri i Shqipërisë, jo kryetari i Shqipërisë, por ministrat pasi janë fushat e tyre dhe dëgjohen me po aq interesim apo kur paraqiten rrallë dëgjohen edhe me më shumë interesim sesa këta kryesorët.

E dyta, do të doja që disa çështje që po i trajton, për shembull, çështjen e këmbimit të territoreve, do doja që për disa çështje, që i quajmë shkencore, për të cilat ai flet, të përgatitet. Në botën demokratike figurat shtetërore, politike të larta nuk merren me historinë ndërsa këtu të gjithë po merren me historinë e letërsisë. Ata nuk janë ekspertë, nuk e njohin historinë e letërsisë, por prapë merren me të, i vlerësojnë shkrimtarët, i japin nota vlerësuese, i shpallin të mëdhenj e kolosë, por ata nuk janë për atë fushë, nuk janë të përgatitur. Kjo gjë ndodhte në komunizëm, Stalini i bënte autoritete të përjetshme krijuesit e ndryshëm, por në demokraci nuk e di a mund të dëgjohet ndonjë shtetar evropian apo amerikan të bëjë vlerësime të tilla për krijuesit, shkrimtarët, kompozitorët, aktorët, regjisorët, piktorët, skulptorët, pra do doja që Edi Rama të mos futej aq lehtë në vlerësime të tilla shkencore sepse nuk është i fushës, nuk është i përgatitur dhe dëgjuesit mund të mendojnë se arsyet nuk janë shkencore, por të tjera, politike.

E treta, nuk do të doja që Kryeministri i Shqipërisë të futej në çështje fetare, jo. Shqipëria dhe Kosova janë shtete laike, feja është e ndarë prej shtetit, ne nuk kemi të drejtë dhe nuk duhet t’i lejojmë vetes tani të flasim në një mënyrë që lejon të mendohet se po favorizohet kjo apo ajo fe, politikanët nuk duhet të merren me çështje fetare. Është ligji, është Kushtetuta, çështjet janë edhe për fenë të cilat janë të rregulluara me ligj dhe do të zbatohen ligjet e Kushtetuta port çështjet fetare, por jo njerëzit politikë të flasin për çështje fetare që mund të trajtohen si anime. Fjala vjen, Kryeministri i Shqipërisë foli për ish Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të cilin tha se ka ndërruar fenë. Kjo nuk mund të dëshmohet dhe mendoj se nuk bëri mirë që e tha sepse tingëlloi si propagandë. Derisa familja e tij nuk e ka deklaruar këtë e kurrkush nuk e di përpos familjes së tij, fëmijët e bashkëshortja nuk e kanë deklaruar nëse e kanë ndërruar apo jo fenë dhe ne të tjerët nuk kemi asnjë të drejtë të japim mendime për atë çështje. Prandaj mendoj se Kryeministri i Shqipërisë nuk është dashur dhe nuk duhet të futet aq lehtë në çështje fetare.

Tjetër, Papa Françesku është një figurë e madhe fetare, morale, etike dhe figurë e madhe po shihet edhe në politikë. Sot mund të jetë figura më e madhe në botë me ndikim etik. Ai është një figurë për të cilin nuk e di a ka kush që nuk ka simpati dhe përkushtim të përgjithshëm ndaj tij. Unë kam shumë përkushtim ndaj asaj figure fetare, etike dhe politike, për fjalët e tij, për ndikimin e tij në botë, por nuk e quaj të arsyeshme ngritjen e shtatores së Papës në një shtet laik. Këto gjëra nuk ndodhin as në Evropë apo shumë rrallë mund të ketë ndodhur. Unë nuk e quaj të arsyeshme këtë dhe nuk e quaj të arsyeshme sepse, e para, Shqipëria është shtet laik dhe nuk duhet t’i japim kuptime fetare dhe e dyta, jemi popull me tri fe dhe duhet të kemi kujdes për harmoninë shumëshekullore të vazhdueshme dhe që dëshirojmë e shpresojmë të vazhdojë kështu.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme