Google ADS

Qeveria finalizon koncesionin e ndërtimit të inceneratorit të plehrave në Tiranë

17:27 | 30 Gusht 2017
Arbresh.info

Qeveria shqiptare finalizoi projektin e dhënies me koncesion të ndërtimit të inceneratorit të djegies së plehrave në Tiranë, i treti i këtij lloji në Shqipëri pas Elbasanit dhe Fierit. Mbyllja e procedurës tenderuese u shpall të hënën nga Ministria e Mjedisit në faqen online të Agjencisë së Prokurimeve Publike, përmes së cilës njoftohej kompania “Integrated Energy B.V.,” me seli në Amsterdam të Holandës se oferta e paraqitur prej saj është pranuar.

Sipas të dhënave të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, “Integrated Energy B.V” ishte pjesmarrësja e vetme në tender, me një ofertë prej rreth 128 milionë euro investime për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të plehrave për një periudhë 30-vjeçare.

Oferta zyrtare është rrudhur në krahasim me propozimin fillestar prej 140 milionë eurosh të kompanisë, përmes së cilit ajo tërhoqi interesin e institucioneve shqiptare dhe fitoi një bonus prej 8 pikësh.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se kompania e regjistruar në Holandë, “Integrated Energy B.V” zotërohet nga kompania shqiptare “Integrated Technology Services” sh.p.k si dhe kompanitë italiane “Paul Wurth Italia S.P.A” dhe “Energy Recuperator S.P.A.”

Aksionerët e kompanisë fituese të koncesionit ekspozohen në një relacion të Ministrisë së Mjedisit që mban datën 7 nëntor 2016-relacion i cili u shoqërua me projektvendimin e Këshilliut të Ministrave që i jepte një bonus prej 8 pikësh ofertuesit të pakërkuar “Integrated Energy B.V”.

“Integrated Technology Services” është një kompani me kapital 100 mijë lekë, e themeluar në nëntor të vitit 2010 nga aksioneri i vetëm, Klodian Zoto-sipas të dhënave të depozituara në Qendrën Kombëtare të Bizneseve.

Përveç aksioneve në koncesionin e ri të inceneratorit të Tiranës,”Integrated Technology Services” zotëron edhe 70 për qind të aksioneve në koncesionin e ngjashëm të Fierit.

Në relacionin e Ministrisë së Mjedisit, kompania me qendër në Xhenova, “Paul Wurth Italia S.P.A” përshkruhet si “një ndër gjigandët botërorë të ndërtimit dhe instalimit të furrave në të gjithë botën”. Ndërkohë, edhe kompania “Energy Recupator S.P.A” nuk operon për herë të parë në këtë fushë në Shqipëri.

Duke iu referuar projektit të paraqitur nga kompania fituese dhe relacionit të Ministrisë së Mjedisit, BIRN raportoi më parë se projekti premton mbylljen e venddepozitimit ekzistues të plehrave të Tiranës në Sharrë, ndërtimin e një impjanti për djegien e 550-800 tonëve plehra në ditë në fazën fillestare me premtimin për ta shtuar kapacitetin.

Gjithashtu, projekti parashikon  krijimin e një venddepozitimi të hirit të prodhuar nga djegia me kapacitet 1.8 milionë metra kub dhe një impjant të trajtimit të ujërave të ndotura që do të krijohen nga procesi i përpunimit të plehrave.

Koncesionari argumentohet se do t’i nxjerrë fitimet e tij duke arkëtuar një tarifë për depozitimin e mbetjeve nga bashkitë e qarkut të Tiranës, nga shitja e energjisë elektrike të prodhuar nga djegia e plehrave si dhe nga rekuperimi i materialeve të riciklueshme.

Qeveria shqiptare ka dhënë më herët edhe dy koncesione të tjera për ndërtim të impjanteve të djegieve të plehrave në Elbasan dhe Fier, përmes dy kontratave koncesionare të financuara nga buxheti i shtetit. Për të dyja projektet, informacioni i ofruar nga autoritetet është minimal dhe konsultimi publik para nënshkrimit të kontratave duket se nuk është kryer. Në Fier, banorët e zonës ku është planifikuar ndërtimi i incerneratorit si dhe të vetë qytetit të Fierit protestuan ashpër, edhe gjatë muajve të fundit kundër ndërtimit të tij.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme