Qeveria e Shqipërisë ka vendosur të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në të gjithë vendin.
Vendimi i Qeverisë u publikua në menjëherë në Fletoren Zyrtare. Aty thuhet se gjendja e fatkeqësisë natyrore shpallet në të gjithë vendin për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19.
Kjo ishte një nga kërkesat e opozitës e ditëve të fundit.
VENDIM
Nr.243, datë 24.3.2020
PËR SHPALLJEN E GJENDJES SË FATKEQËSISË NATYRORE
Në mbështetje të neneve 100, 170, 174, pika 1, e 175, pika 2, të Kushtetutës, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 18, të pikës 1, të nenit 19, dhe të pikës 1, të nenit 39, të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të gjithë Republikën e Shqipërisë për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19.
2. Kufizimin e të drejtave të garantuara nga nenet 37, 38, 41, pika 4, 49 dhe 51 të Kushtetutës deri në masën që konsiderohet e domosdoshme për të arritur ruajtjen e shëndetit të shtetasve.
3. Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile (KNEC), i ngritur me vendimin nr.750, datë 27.11.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në qarqet Durrës, Lezhë dhe Tiranë”, të ndryshuar, është organi më i lartë për koordinimin dhe bashkërendimin e veprimeve të institucioneve shtetërore dhe të subjekteve private, si dhe të burimeve financiare e materiale për përballimin e fatkeqësisë natyrore për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, deri në 30 (tridhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Anëtar i KNEC-së caktohet dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin.
4. Në mbledhjet e KNEC-së marrin pjesë, me kërkesë të Kryetarit, përfaqësues të organeve të ndryshme publike, të biznesit, ekspertë /profesionistë të fushës së mjekësisë e të shëndetit publik dhe përfaqësues të shoqërisë civile ose drejtues të OJF-ve, me objekt veprimtarie shëndetin publik dhe ndihmën humanitare.
5. Instituti i Shëndetit Publik caktohet në rolin e Sekretariatit Teknik të KNEC-së, për çështje të
fatkeqësisë natyrore të shpallur për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19.
6. Për përballimin dhe lehtësimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore merren masat e
jashtëzakonshme, si më poshtë vijon:
6.1. Institucionet publike:
a) të realizojnë plane masash organizative dhe administrative për përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore;
b) të përdorin burimet financiare të parashikuara në buxhetin vjetor, si dhe të rivlerësojnë buxhetin e tyre vjetor, në përputhje me kryerjen e shpenzimeve shtesë të paparashikuara;
c) të vënë në dispozicion burimet njerëzore e logjistike;
ç) të caktojnë objektet shtetërore në përgjegjësinë e tyre të administrimit, që mund të vihen në dispozicion për strehimin e popullsisë së evakuuar;
d) të kufizojnë aksesin në ambiente publike, të cilat kanë një frekuentim të gjerë;
dh) të ndalojnë tubimet, manifestimet dhe grevat;
e) të kufizojnë aktivitetet në minimumin e domosdoshëm për të gjitha organet publike;
ë) të vendosin në karantinë të gjithë personat e konfirmuar ose të dyshuar se janë të prekur nga COVID-19;
f) të krijojnë dhe të sigurojnë zonat e karantinës me personel, të cilit t’i sigurohen të gjithë masat parandaluese për të evituar infektimin;
g) të garantojnë kushtet dhe stafin e kualifikuar për kurim të specializuar në qendrat e karantinës;
gj) të pajisin të gjithë punonjësit e qendrave spitalore dhe shëndetësore me bazën e nevojshme materiale për shmangien e infektimit.
6.2. Strukturat operacionale të sistemit të mbrojtjes civile:
a) të vendosin dhe të zbatojnë masa të veçanta për garantimin dhe rritjen e sigurisë së shtetasve në zonat e prekura nga fatkeqësia;
b) të aktivizojnë dhe të organizojnë procedurën e karantinës për popullsinë e rrezikuar;
c) të organizojnë kontrolle të njëanshme të banesave dhe objekteve private për evidentimin dhe trajtimin e personave të prekur nga virusi;
ç) të kufizojnë lëvizjen e lirë për brenda ose jashtë shtetit në përputhje me nevojat e diktuara nga fatkeqësia natyrore;
d) të kufizojnë organizimin e grevave;
dh) të kufizojnë zhvillimin e aktiviteteve ekonomike për subjektet private në përputhje me nevojat e diktuara nga fatkeqësia natyrore;
e) të japin ndihmën e parë ndaj personave të prekur nga virusi dhe të realizojnë transportimin
e të prekurve për në qendrat spitalore ose në infrastrukturën e karantinës;
ë) të organizojnë procedurat e detyruara për kryerjen e shërbimeve funerale.
6.3. Subjektet private:
a) të respektojnë procedurat dhe masat për karantinën;
b) të informojnë lidhur me të dhënat që ndihmojnë institucionet dhe strukturat e mbrojtjes civile në përballimin e gjendjes së fatkeqësisë;
c) të përfshihen në detyra të veçanta, në përputhje me përgatitjen, aftësitë dhe me nevojën për të ndihmuar në kapërcimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore;
ç) të mbyllin ose të kufizojnë përkohësisht veprimtarinë e tyre;
d) të mos vjelin tarifat e kalimit rrugor për mjetet e angazhuara në përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
6.4. Shtetasit:
a) të zbatojnë urdhrat, masat dhe udhëzimet e autoriteteve të mbrojtjes civile, si dhe të ndjekin
procedurat e kërkuara, në mënyrë të veçantë për karantinën dhe pezullimin e aktiviteteve;
b) të informojnë lidhur me të dhënat që ndihmojnë institucionet publike dhe strukturat e mbrojtjes civile në përballimin e gjendjes së fatkeqësisë;
c) të përfshihen në detyra të veçanta, në përputhje me përgatitjen, aftësitë dhe me nevojën për të ndihmuar në kapërcimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
7. Të gjitha të drejtat dhe liritë e kufizuara me akte, të dala në zbatim të ligjit nr.15/2016, “Për
parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, të ndryshuar, dhe me aktin
normativ nr.3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID–19”, të
ndryshuar, mbeten në fuqi.
8. Ngarkohen Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile dhe të gjitha institucionet shtetërore dhe publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare. /Lapsi.al
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...