Qeveria e Shqipërisë ndryshon skemën e TVSH-së për biznesin e vogël

16:37 | 10 Tetor 2017
Arbresh.info

Kryeministri Edi Rama deklaroi dje, nga Lezha, se në skemën e TVSH-së do të përfshihet i gjithë biznesi i vogël.

Por duket se do të ketë disa përjashtime. Ministri i Financave sqaroi dy shtresat që nuk do të preken, zejtarët dhe tregjet e bashkive. Ndërsa kreu i qeverisë e zgjeroi shojegimin e tij, duke bërë ironi edhe me vetë administratën e tatimeve.

KUSH PËRJASHTOHET NGA TVSH

Duke shpjeguar skemën e TVSH, që do të shtrohet për të gjitha bizneset, pra edhe ato me xhiro nën 5 milionë lekë në vit, ministri i Financave theksoi dy kategori biznesi që do të përjashtohen. “Ne sot (dje), patëm një diskutim shumë të gjatë me Kryeministrin për detajet. Kryeministri ka vendosur që logjika e TVSH-së për zejtarët dhe për tregjet e miratuara të bashkive të jetë e përjashtuar, pra, të mos të aplikohet. Për zejtarët, me definicion, meqë s’kanë impute dhe për tregjet e bashkive të vazhdojë të jetë siç ka qenë. Te pjesa tjetër pastaj shtrihet 20 përqindëshi”, theksoi Ahmetaj. Më pas ishte vetë Rama, ai që saktësoi politikën e re fiskale duke bërë ndryshimin mes biznesit të vogël dhe atij zejtar, ai shtoi: “Me një ndryshim midis të dyjave, se në rastin, p.sh, të berberit, – se këtu këto bandat e tatimeve tmerruan edhe berberët, – taksa është zero dhe nuk ka sesi aplikohet, apo në të gjitha rastet e tjera të zejtarëve, te tregjet, do të ndërtojmë në bashkëpunim me bashkitë, në rastin kur tregjet janë jopublike, janë të menaxhuara nga privatët, me atë që i menaxhon do ndërtojmë një skemë, që tregu si i tërë, të jetë i kontrolluar, të fiskalizohet. Pra, jo çdo individ që hyn brenda, jo të vërë kasë çdonjëri që shet në treg, se kjo s’ka kuptim, por tregu si i tërë, të jetë i fiskalizuar. Këtu flasim vetëm për tregjet, të cilat janë tregje bashkiake, që do plotësojnë standardet sipas kërkesave të bashkive, jo tregje të ndërtuara rrugëve, që nuk do t’i lejojmë më. Kështu që, besoj se s’do ketë probleme për ata të tregjeve, kurse të gjithë të tjerët do jenë brenda sistemit me TVSH”, theksoi kryeministri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme