Google ADS

Qeveria e Edi Ramës “ngel” në klasë, ja sa i ka realizuar objektivat

08:18 | 6 Tetor 2017
L G

Qeveria shqiptare ka realizuar vetëm 39.3 % të projekteve të parashikuara, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, në kuadër të plotësimit të kushteve për avancimin në rrugën e integrimit në Bashkimit Evropian.

Kështu thuhet në raportin e hartuar nga Ministria e Integrimit Evropian (e cila tashmë është shndërruar në një drejtori në varësi të Ministrisë së Jashtme) mbi performancën e ministrive të linjës sa i përket realizimit të prioriteteve të parashikuara në kuadër të integrimit.

Sipas raportit, dy janë ministritë me shkallën më të lartë të dështimit, Ministria e Arsimit dhe Sportit e drejtuar nga Lindita Nikolla dhe Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave e drejtuar deri disa ditë më parë nga Edmond Panariti. Shkalla e dështimit përcaktohet nga numri i madh i detyrave dhe niveli i ulët i realizimit.

Përqindja e realizimin të projektakteve nga Ministria e Arsimit, për tremujorin e dytë të 2017, është zero. Sigurisht, pjesë e përgjegjësisë për një performancë kaq të ulët është edhe ish-ministrja teknike e Partisë Demokratike, Mirela Karabina, e cila ka drejtuar këtë sektor që nga fundi i muajt maji.

Në tremujorin e parë të 2017, detyrat e realizuara nga Ministria e Arsimit, nën drejtimin e Lindita Nikollës, janë në masën 25 për qind. Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, nën drejtimin e Edmond Panaritit, nga 7 projektakte të planifikuara ka realizuar vetëm 2, pra në masën 29 për qind.

Ndërsa, në tremujorin e dytë të 2017, Ministria e Bujqësisë ka realizuar zero për qind të projektakteve të planifikuara. “Në kuadër të monitorimit tremujor të Planit Kombëtar për Integrimin Evropian, Ministria e Integrimit Evropian mori pjesë në takimet e zhvilluara çdo muaj nga Grupet Ndërinstitucionale të Punës, duke insistuar qe masat ligjore të miratohen brenda periudhës së planifikuar. Institucionet përgjegjëse për çdo kapitull, raportojnë çdo muaj për përditësimet që kanë ndodhur gjatë gjashte-mujorit të parë të vitit 2017 (janar – qershor 2017) për sa i përket strategjive ose dokumenteve strategjike të planifikuara dhe të miratuara si dhe legjislacionit të planifikuar dhe miratuar.

Nga raportimi i institucioneve përgjegjëse për përgatitjen e kapitujve të Planit Kombëtar për Integrimin Evropian, vërehen këto dukuri kryesore: Nga 56 projekt-akte të planifikuara për gjashte-mujorin e parë të vitit 2017, vetëm 20 akte  janë miratuar gjatë kësaj periudhe. Përqindja e realizimit për këtë periudhë është 39.3 %”, thuhet në raport.

Ministrat më të suksesshëm
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, gjatë tremujorit të parë të 2017, rezulton se i ka realizuar në masën 100 për qind detyra e planifikuara në kuadër të procesit të integrimit. Ndërsa tremujorin e parë të vitit 2017, kjo ministri, e drejtuar nga Blendi Klosi dhe më pas nga Olta Xhaçka, i kanë realizuar në masën 70 për qind projektaktet e planifikuara. Edhe Ministria e Drejtësisë i ka realizuar në masën 100 për qind projektaktet, ndonëse kësaj ministrie i ishte lënë për detyrë realizimi vetëm i një projektakti.

Ministria e Shëndetësisë, nën drejtimin e Ilir Beqajt, në tremujorin e parë të vitit 2017, i ka realizuar projektaktet e planifikuara në masën 50 për qind, ndërsa në tremujorin e dytë të vitit 2017, në masën 33 për qind.

Edhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë, nën drejtimin e Damian Gjiknurit, gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, i ka realizuar projektaktet e planifikuar në masën 50 për qind. Ministria e Mjedisit, në tremujorin e parë të vitit 2017, i ka realizuar projektaktet e planifikuara në masën 75 për qind, ndërsa në tremujorin e parë zero për qind.

Përqindjet e realizimit të PKIE-së gjatë të njëjtës periudhë të këtyre dy viteve të fundit tregojnë se realizimi i planifikimit gjatë gjashtë-mujorit të parë 2017 është 39.3 %, duke pësuar një përmirësim, krahasuar me gjashtë-mujorin e parë të 2016, i cili ishte ne nivelin 35.6%.

Vlerësimi i BE për 5 prioritetet

Shqipëria është mesatarisht e përgatitur lidhur me reformën në administratën publike. Përparimi  i mëtejshëm është kyç për të konsoliduar arritjet drejt një administrate publike më eficente, të depolitizuar dhe profesionale.

Në lidhje me luftën kundër korrupsionit, Shqipëria është deri diku e përgatitur. Nevojiten më shumë përpjekje për të luftuar korrupsionin në nivel të lartë. Hetimet proaktive, vlerësimet sistematike të riskut dhe bashkëpunimi ndërinstitucional duhet të përmirësohen. Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz.

Në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar, vendi ka arritur një farë niveli përgatitjeje. Numri i dënimeve të formës së prerë për rastet e krimeve të organizuara është ende i ulët, duke shënuar vetëm një rritje të lehtë në vitet e fundit. Hetimet financiare në lidhje me grupet e organizuara kriminale nuk janë zhvilluar në mënyrë sistematike dhe efektive. Historiku i ngrirjes dhe konfiskimit të pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme mbetet shumë i ulët.

Kuadri ligjor për mbrojtjen e të drejtave të njeriut është gjerësisht në përputhje me standardet evropiane. Lidhur me lirinë e shprehjes, Shqipëria ka një farë niveli të përgatitjes/ është mesatarisht e përgatitur. Atmosfera e përgjithshme është e favorshme për të ushtruar lirinë e shprehjes, por kërkohet një zbatim më i mirë i legjislacionit./shqiptarja.com

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme