Qëlloi për vdekje Klodian Rashën, arrestohet polici i “Shqiponjave”

14:43 | 8 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Efektivi i policisë që qëlloi për vdekje 25 vjeçarin Klodian Rasha është arrestuar.

Deri në marrjen e këtij vendimi ai po merrej në pyetje në drejtorinë e policisë së Tiranës. Siç SHÇBA tha për Top Channel më herët, efektivi dyshohet se e qëlloi 25-vjeçarin në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme.

Punonjësi i Policisë, efektiv i Shqiponjave, siç bëri me dije policia në njoftim të saj për ngjarjen, i ka bërë thirrje të ndalonte të riut, por Rasha nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe efektivi e ka qëlluar.

25-vjeçari u qëllua shumë afër shtëpisë së tij rreth orës 1 e 45. Ndërkohë arma e Rashës, siç njoftoi policia është gjetur 100 metra nga vendi i ngjarjes, çka tregon se nuk ka patur shkëmbim zjarri me policinë.

Policia në njoftimin për ngjarjen tha se i riu ka pasur probleme me ligjin dhe pretendon se rruga ku ndodhi ngjarja është e pandriçuar. Por banorët thonë të kundërtën. Për gazetaren Anila Hoxha një nga banorët e zonës, tha se rruga ka ndriçimin e duhur.

Babai i viktimës ndërkohë deklaroi për gazetaren Hoxha jashtë kamerave se i biri s’kishte armë dhe s’ka patur asnjëherë, megjithëse ai shtoi se djali ka shfaqur probleme të shëndetit mendor më herët, por që ishte qetësuar tashmë dhe e ndihmonte atë me punët e shtëpisë.

Në lidhje me ngjarjen ai tha se i biri kishte dalë për të pirë kafe, dhe ishte shumë i qetë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme