Qëlloi me armë drejt makinës së dy policëve, identifikohet autori

12:15 | 3 Shtator 2022
L G

Policia ka bërë të ditur se ka arritur të identifikojë autorin e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e së premtes në Vlorë, ku u qëllua me armë në drejtim të një makine me të cilën po lëviznin dy efektivë, jashtë orarit të punës.

Shpallet në kërkim shtetasi Diego Haxhiraj alias Teki Haxhiraj alias Diego Hanaj, që dyshohet se qëlloi në drejtim të automjetit me të cilin udhëtonin dy punonjës policie, Angjelo Breshani dhe Nako Mehmetaj, të cilët fatmirësisht nuk u lënduan.

“Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, i cili qëlloi me armë zjarri, për motive të dobëta, në drejtim të një automjeti me të cilin udhëtonin 2 shtetas (punonjës policie).

Sekuestrohet automjeti i autorit të dyshuar të ngjarjes.

Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë në DVP Vlorë, në vijim të punës për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Partizani”, ku një shtetas qëlloi me armë zjarri nga një automjet tip “Volksëagen”, në drejtim të një automjeti “Audi”, më të cilin udhëtonin 2 punonjës policie, jashtë shërbimit, bënë identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit:

D. H. alias T. H. alias D. H., 37 vjeç, banues në Vlorë.

Ky shtetas, rreth orës 19:40 të mbrëmjes së djeshme, duke drejtuar automjetin tip “Volksëagen”, dyshohet se për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Audi”, me të cilin udhëtonin shtetasit A. B., 25 vjeç, me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Vlorë dhe N. M., 27 vjeç, me detyrë punonjës i Policisë Kufitare Sarandë, të cilët nuk kanë pësuar dëmtime. Gjatë krehjes së zonës, shërbimet e Policisë gjetën të braktisur, në lagjen “Partizani”, Vlorë, automjetin e autorit të dyshuar të ngjarjes. Vijon puna për kapjen e tij dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, njofton policia./A2

Të ngjashme